Ushtria siriane ka lajmëruar nisjen e një ofensive në Halep, posaçërisht në pjesën lindore të tij, të kontrolluar prej kryengritësve.
“Komanda e lartë lajmëron nisjen e operacioneve në lindje të Halepit, dhe u bën thirrje qytetarëve dhe vëllezërve të qëndrojnë larg zonave ku veprojnë terroristët,” thuhet në njoftim.
Po ashtu kujtohet se nuk do të ketë arrestim apo ndëshkim të asnjë qytetari që paraqitet në pikat e kontrollit të ushtrisë siriane, e se do të merren të gjitha masat për t’i marrë qytetarët e për t’u siguruar strehë.
Ndërkaq, një takim mes John Kerry-t dhe Sergey Lavrov-it, përpos shumë ministrave të tjerë të Jashtëm, në Nju Jork, nuk solli asgjë të re në përpjekjet për përtëritjen e armëpushimit.
“Nuk mund të vazhdojmë më në të njëjtën rrugë,” deklaroi sekretari amerikan i Shtetit.
“Nuk mund të dalim para botës dhe të themi se kemi një marrëveshje kur nuk kemi. As mund t’u themi partnerëve se ka një ndërprerje (të luftimeve) kur nuk ka,” ka shtuar ai.
“Realiteti është thjesht që nuk mund të zgjidhim një krizë nëse njëra palë nuk është e gatshme të bëjë ç’është e nevojshme për të shmangur përshkallëzimin. Nëse rusët kthehen me propozime konstruktive, do t’i dëgjojmë,” u ka thënë Kerry gazetarëve.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi dje për sulmet më të mëdha në muajt e fundit në pjesët e kontrolluara nga kryengritësit në Halep, e për më së paku shtatë të vrarë.
Mjekët dhe aktivistët në terren flasin për shumë të vdekur e të plagosur, për 49 viktima vetëm të mërkurën.
Zhvillimet e fundit kanë hedhur dyshime se armëpushimi mund të ketë qenë një taktikë e sirianëve dhe rusëve në përpjekjet për të marrë Halepin. /tesheshi.com/