Tekniku turk Fatih Terim i ka bërë të ditur dje emrat e 31 lojtarëve që janë në listën paraprake të përfaqësueses. Ashtu si dhe me përfaqësueset e tjera, kjo listë ka për t’u shkurtuar në ditët në vazhdim.
Terim e ka formuar pjesën dërrmuese të përfaqësueses turke me lojtarë të tre klubeve më të mëdha të Turqisë. A ka thirrur shtatë lojtarë nga Fenerbahçja, pesë nga Beshiktashi i saposhpallur kampion, e katër nga Gallatasaraji.
Edhe pse ishte e pritshme, prapëseprapë mungesa më e madhe në këtë kombëtare është e Volkan Demirelit, portierit të Fenerbahçes. Në vend të tij, si portier të parë, Terim ka parapëlqyer Volkan Babaxhanin e Medipol Bashakshehirit, aty ku luan dhe Cikalleshi.
Dy nga emrat e tjerë që i mungojnë listës e që shihen si mungesa surprizë nga shtypi sportiv turk janë Ersan Adem Gylym dhe Hasan Ali Kalldërëm.
Mes lojtarëve më të spikatur është Arda Turan, që luan për Barcelonën, por edhe Hakan Çallhanogllu i Bajer Leverkusenit.
Gjendet gjithashtu në listë dhe Nuri Shahin i Borusias së Dortmundit, por nuk dihet ende nëse ai do të përfshihet në emrat përfundimtarë. Një sezon me shumë dëmtime e me pak aktivizime mund ta detyrojnë Fatih Terimin ta lërë në shtëpi lojtarin e sipërpërmendur.
Turqia është në grupin D në Euro 2016, së bashku me Spanjën, Kroacinë e Çekinë. /tesheshi.com/