Kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi kërkon nga ministria e Brendshme e vendit të ndalojë mbërritjen e emigrantëve në kryeqytetin italian, për shkak të numrit të madh të tyre dhe fluksit të vazhdueshëm. Në një memorandum, Raggi thotë se Roma nuk mund të mbajë më emigrantë.
“E gjej të pamundur përvecse të rrezikshme hipotezën e ngritjes së strukturave të reja të mikpritjes së emigrantëve në Romë, me një ndikim të madh dhe në qëndrueshmërinë numerike të komunës”, thuhet në letër.
Virginia Raggi i kërkon Ministrisë së Brendshme e Prefekturës së Romës që të marrin në konsideratë presionin e madh migrues në të cilin ndodhet Roma në vendimet e tyre për ngritjen e strukturave të reja të strehimit të emigrantëve. Përgjatë vitit 2017 Italia është përfshirë nga një fluks i madh emigrantësh i cili ka prekur veçanërisht rajonin e Lacios, në të cilin bën pjesë dhe kryeqyteti Romë. Aktualisht në Romë gjenden rreth 100 struktura strehimi emigrantësh e rreth 100 të tjera gjenden në provincën e Lacios.
Sipas vendimit të qeverisë italiane çdo rajon do të marrë në dorëzim një numër të caktuar emigrantësh të mbërritur në Itali e të përcaktuar sipas kuotave të vendosura nga Fondi Kombëtar i Politikave Sociale. Sipas këtyre kuotave brenda dhjetorit të 2017 qyteti i Romës duhet të mirëpresë rreth 17 mijë emigrantë që do t’i shtohen 9 mijë të tjerëve që strehohen aktualisht në këtë territor. /tesheshi.com/