Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se mbështet protestën e tregtarëve në të gjithë vendin, ndërsa sipas tij, dyshja Rama-Meta nuk arrin ta shikojnë këtë protestë, pasi janë të shqetësuar për të mbajtur vendin e tyre të punës.
“PD ka mbështetur dhe mbështet me të gjitha format, protestën e tregtarëve e cila është një protestë e drejtë. Problemi është që Rama dhe Meta nuk e shohin protestën se kanë bërë ecejake sa nga vila e tyre tek zyra e Mehmet Shehut. 73 mijë shqiptarë kanë humbur venin e punës në dy muaj, për shkak të gjobave, të taksave të rritura, të korrupsionit, të arbitraritetit të Ramës e Metës. Këto nuk i shohin se ndërkohë që ndodhin këto, ata kanë të vetmin shqetësim: të ruajnë vendin e tyre të punës. Ky është shqetësimi kryesor i Ramës dhe Metës”,- deklaroi Basha.
Ai u shpreh në vijim se kjo është një qeveri që ka humbur çdo lidhje me realitetin. Sipas kreut të opozitës, kjo qeveri është arsyeja se pse kemi 200 mije aplikime për lotarinë amerikane.
“Në vend që të reflektojnë, të kuptojnë që janë ata me politikat e tyre, me korrupsionin e tyre, shkaktarët e kësaj gjendjeje, kanë një preokupim: si t’i mbyllin gojën qytetarëve, opozitës dhe medias. Nuk ka për t’ia arritur kurrë”,- u shpreh Lulzim Basha./tesheshi.com/