Nga Shkodra, kreu demokrat Basha sqaroi se përse ai hedh paralele mes të sotmes dhe të djeshmes politike, asaj të fillimeve pluraliste.
“Jo më kot kam hequr një paralele midis 31 marsit të 1991-shit dhe 25 prillit 2021-shit. E ku tjetër më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet kjo paralele jo thjesht në kuptimin mendor, racional e të arsyetimit, por në kuptimin shpirtëror të fjalës.
Kush prej atyre që ishin në moshë për të kujtuar, të rinj, gjimnazistë, studentë apo prindër nuk e mban mend pritshmërinë e datës 31. Kush nuk e mban mend zemrat e ngritura peshë nga emocioni dhe përligja e pritshmërisë se dita e fundit e komunizmit kishte ardhur, se dita e parë e demokracisë po çelte.
E ku më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet zhgënjimi, ndjenja e pabesueshmërisë, e tronditjes së thellë që solli 31 marsi, zgjedhjet pa zgjidhje të 31 marsit e që çuan më pas në një tjetër shok dhe tronditje pas revoltës së gjimnazistëve të “Jordan Misjes” dhe shkodranëve me 2 prill që përfundoi me masakrën e 2 prillit.
E pra miqtë e mi këto nuk janë thjesht kujtime apo reminishenca historike, këto janë pjesë e asaj që ne jemi, e asaj që ju jeni”, arsyetoi Basha. /tesheshi.com/