Partia Demoratike duket se po shkon drejt një traumë të madhe të brendshme, pasi dy palët, ajo që kërkon që Lulzim Basha të largohet dhe vetë ky i fundit, ndodhen në pozicione diametralisht të kundërta siç ishte vetë Basha me Edi Ramën gjatë kohës së çadrës.
Në mënyrë të çuditshme, Basha po përjeton atë që përjetonte kryeministri aktual kur ai i hidhte kërkesa ultimative: “o largohu o zgjedhje me ty s’ka”.
Astrit Patozi nuk ka pranuar që ta dorëzojë formalisht kërkesën për të kandiduar, ndërsa kryesia e PD-së në fund ka marrë një vendim ku më 24 korrik do të garojnë Lulzim Basha me Eduard Selami. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka doli para mediave për të komunikuar edhe zyrtarisht vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike për zgjedhjet brenda saj.
Paloka tha se procesi i zgjedhjeve do të jetë transparent dhe nga ku do të fillojë ringritja e Partisë Demokratike. Në mbledhjen e Kryesisë ka patur një kërkesë për të bërë një analizë të humbjes së zgjedhjeve më 25 qershor.
“S’mund të bëjë Kryesia analizë të zgjedhjeve. Analizë do të ketë, ku do të dalin të gjitha përgjegjësitë e Bashës”, tha Paloka.
Ndërkaq, Arben Ristani negocioi mes Astrit Patozit dhe Lulzim Bashës por pa sukses. Astrit Patozi ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve por kjo nuk është pranuar nga Lulzim Basha dhe kryesia. Fiks e njëjta situatë si me çadrën por nga ana tjetër.
Edhe Astrit Patozi deklaroi në Top Story se ai me mbështetësit e tij do të bëjnë të gjitha manovrat dhe protestat për ta nxjerrë Bashën nga selia e PD-së. Patozi e akuzoi Bashën se po paguan njerëz për të përbaltur kundërshtarët brenda PD-së. /tesheshi.com/