Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka parë nga afër situatën e krijuar, si pasojë e sëmundjes së gjedhit “dermatoza nodulare”, që është rishfaqur sërish në disa zona të vendit. Ai u takua me banorët e fshatit Mjekës, pak kilometra nga Elbasani, me të cilët diskutuan se nëse nuk merren masa për vaksinimin e lopëve të tyre, atëherë ata uk kanë me se të ushqehen.
“Bashkëfshatarët e mi jetojnë me 1 ose 2 lopë dhe shesin qumështin. Kanë dy javë që nuk i mjelin më se i kanë të sëmura dhe secili mundohet të sigurojë veteriner në mënyrë private për vaksinat që i paguajnë vetë”, u shpreh një prej fermërëve.
“Nuk kemi burim tjetër të ardhurash, përveç asaj lope që kemi dhe mbajmë familjen gjallë”, tha një tjetër fermer.
Lideri i opozitës u shpreh se qeveria është larguar nga njerëzit, ndaj dhe njerëzit duhet të largojnë qeverinë për një qeverisje për njerëzit.
“Lekë për avion privat ka, lekë për ekspozita ka, por lekë për ju nuk ka. Lekë për vaksina nuk ka, lekë për subvensione nuk ka, lekë për pensione nuk ka. Pse?! Sepse i ka marrë të gjitha për vete. Programi jonë është për subvencione të drejtpërdrejta për fermerin. Nëse qeverisja u kthehet njerëzve, nëse buxheti vihet në funksionin tuaj, nëse shteti nuk mendon vetëm t’u vendosë taksa dhe këto para t’i vjedhë, por mendon se si t’u vijë në ndihmë, atëherë sigurisht që ka zgjidhje. Por, padyshim që hapi i parë është të largojmë këtë qeveri e të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme, se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha./tesheshi.com