Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka dërguar një mesazh Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, pas takimit me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu.
Në një deklaratë për mediat, fill pa mbarimit të këtij takimi, Basha ftoi Ramën e Metën t’i përmbahen pikë për pikë rekomandimeve të Komisionit të Venecias për realizimin e reformës në drejtësi.
“Ky është një mesazh drejtuar Edi Ramës, Ilir Metës, deputetëve të shumicës. Kam në dorë draftin e propozimit të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Kjo është harta e rrugës që partitë duhet të ndjekin për të përfunduar me sukses reformën në drejtësi”,- tha në nisje të fjalës së tij Lulzim Basha.
Më tej ai shtoi: “I bëj thirrje Kryeministrit, kreut të Kuvendit, deputetëve të PS dhe LSI e i ftoj të bëhen pjesë e përpjekjes së Partisë Demokratike për një reformë të plotë të thellë, të shpejtë e të suksesshme në drejtësi. Zotohemi t’i përmbahemi pikë për pikë rekomandimeve të Komisionit të Venecias”,- u shpreh Lulzim Basha./tesheshi.com/