Disa vrasje e vdekje të ndodhur orët e fundit në Shqipëri, i janë atribuuar si shkak qeverisjes “Rama”, nga kryetari i PD, Lulzim Basha.
“Kur 3 shtetas u vranë me armë dje, Edi Rama nxorri një zhgarravinë duke thënë se po vendos rendin, se numri i vrasjeve është ulur. U tall me 3 jetë të humbura, si të ishin dele e jo njerëz dhe u mburr me atë që është dështimi i tij i madh. Sepse rendi nuk ekziston. Rend nuk ka. Ka sundim të bandave, konflikte dhe vrasje me armë. Këtë pasiguri ekstreme e ka mbjellë ai në Shqipëri, me kanabizimin e vendit, me sprapsjen e ligjit, me rreshtimin e tij dhe Tahirit në krah të krimit”, ka thënë Basha.
Më tej, Basha është hedhur në territorin politik të drogës: “Ndërkohë që dje policia, me urdhër të Ramës e Tahirit, i ka bërë rezistencë drejtësisë, duke penguar hetimin e duke mbrojtur 11 tonelata me drogë në Vlorë. Një bandit i qeverisë i del para prokurorit ne Mat dhe me armë në dorë i pret rrugën drejt parcelave me kanabis”, ka thënë Basha, duke thënë më tej se “ky është shteti i Edi Ramës, ndërkohë që ai llomotit në Kuvend për drejtësinë. Këtu ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Shqipëria do jetë pa krime, pa drogë, pa plehra vetëm pa Edi Ramën”. /tesheshi.com/