Policia e Shtetit ka nisur shpërndarjen e fletëpalosjeve për ndërgjegjësimin e qytetarëve që të mos abuzojnë me lëvizjen e lirë në zonën shengen.
“Sot, nëpërmjet shpërndarjes edhe të këtyre fletëpalosjeve që do t’u vihen në dispozicion të gjithë udhëtarëve shqiptarë, kërkojmë që t’i ndërgjegjësojmë ata që të plotësojnë me përpikmëri kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në mënyrë që Shqipëria të mos ndihet e rrezikuar nga fenomeni i azilkërkimit, i cili është ngritur si një shqetësim nga disa prej vendeve të BE-së”, deklaroi zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.
Fletëpalosjet u shpërndanë në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa zv.ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të mos shkelin rregullat e lëvizjes së lirë pasi shanset për të përfituar azil janë zero.
“Të jemi sa më të rregullt, sa më striktë dhe mjafton të rikujtojmë dhe një herë faktin që Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt. Dhe sigurisht është një vend me shumë shanse dhe mundësi për të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksoi Voda.
Gjatë muajit gusht janë kthyer 177 shtetas shqiptarë, të cilët nuk kanë plotësuar kriteret e lëvizjes së lirë në vendet e zonës shengen. /tesheshi.com/