Nga Blendi Gashi
Shkelje të shumta ligjore ka gjetur Auditi në Ministrinë e Brendshme që në qeverinë e rrëzuar “Mustafa” është drejtuar nga Skwnder Hyseni i LDK-së dhe në polici që drejtohet nga Shpend Maxhuni.
Ato janë nga më të ndryshmet, qw nga realizimi i dobët i buxhetit, plotësimi i pozitave me ushtrues detyre, vonesë në realizim të projekteve, probleme me subvencione e nënshkrime kontratash e deri tek vonesa për të servisuar veturat.
Sipas Auditit, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit për investime kapitale në këtë ministri, ose 42% e tyre ishte shpenzuar vetëm në tremujorin e fundit të vitit, gjë që ky shpenzim nuk është në përputhje me planin dhe rrjedhën e parasë.
Arsyet për një ekzekutim të ulët sipas Auditit përfshijnë vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit, anulimet si dhe periudhat e gjata të realizimit të punëve.
64 pozita me ushtrues detyre
Një problem tjetër tejet i madh për MBP-në vazhdon të mbetet edhe plotësimi i pozitave me ushtrues detyrë më gjatë se tre muaj.
Nga testet e zhvilluara, Auditi ka identifikuar që 64 pozita vazhdojnë të mbulohen me ushtrues detyre në këto institucione.
Në MPB edhe më tej tetë pozita po vazhdojnë të mbulohen me U.D, dy prej tyre që nga viti 2014;
Në Agjencinë për Regjistrimin Civil janë 10 pozita U.D, prej tyre një nga viti 2008 si dhe dy nga viti 2011;
Në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent janë poashtu dhjetë pozita me U.D, prej tyre katër prej vitit 2011; dhe
Në polici janë 36 pozita të mbuluara me U.D, prej tyre një nga 2012, një nga 2013, një nga 2014 dhe tre nga viti 2015.
Poroblem tjetër mbetet ushtrimi i pozitave jo në përputhje me gradat aktuale. Në polici sipas Auditit, 245 të punësuar të stafit policor ushtrojnë grada tjera prej atyre që aktualisht i kanë arritur.
“Prej tyre, 20 ushtrojnë më shumë se një gradë deri në tri grada. Sipas udhëzimit, për qëllime operative (në raste të caktuara) me vendim të drejtorit të përgjithshëm të PK-së mund të caktohen për një vend tjetër nëse plotësohen kushtet dhe kriteret e parapara. Megjithatë kjo duhet të rishikohet dhe caktimi në pozita të bëhet sipas gradave të fituara” thuhet në raport.
Si edhe shumë ministri tjera e komuna edhe në MPB dhe agjencitë që funksionojnë në kuadër të saj gjatë vitit 2016 janë angazhuar 26 persona përmes “Marrëveshjeve për shërbime të veçanta” vlera e shpenzimeve të të cilave ishte 55,913 euro.
Për këto marrëveshje nuk janë udhëhequr procedurat e thjeshtësuara të rekrutimit nga departamenti i burimeve njerëzore. Prej tyre, shtatë ishin për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, të cilët ende vazhdojnë në këtë mënyrë. Për këto marrëveshje Auditi ka rekomanduar edhe vitin e kaluar, por një praktikë e tillë vazhdon ende.
Probleme me realizimin e planeve të bizneseve
Auditi ka gjetur defekte edhe në realizimin e planeve të biznesit të subvencionuara nga MPB.
“Gjatë viti 2016, MPB kishte subvencionuar 70 plane të biznesit për personat e riatdhesuar në vlerë 207,530€. Prej tyre, 26 plane të biznesit në vlerë 76,613€ apo 37% nuk ishin funksionale apo nuk janë realizuar sipas qëllimit të parashikuar. Edhe përkundër monitorimit prej MPB-së, planet e bizneseve nuk ishin bërë funksionale dhe nuk ishin realizuar. Po ashtu, prej 60 planeve të bizneseve në vitin 2015 në vlerë 125,850€ të cilat është dashur të monitorohen për një periudhë 12 muajsh, vërejmë që 36 prej tyre në vlerë 75,048€, nuk janë realizuar. Ajo që vlen të theksohet është numri i madh i aplikuesve të riatdhesuar për plane të biznesit. Në vitin 2016 MPB kishte aprovuar 615 plane të biznesit në vlerë 1,619,470€. Prej tyre janë deklaruar si obligime vetëm 886,060€ për 300 plane, ndërsa pjesa tjetër për 733,410€ për 315 plane nuk janë prezantuar si obligime. Për më tepër vlera e aprovimeve kishte tejkaluar mjetet buxhetore për subvencione. Në një rast vërejtëm që personi i riatdhesuar në bazë të planit të biznesit ka marrë subvencion në vlerë 2,000€, por nuk e kishte shfrytëzuar për qëllimin e dedikuar. Kjo ishte konstatuar edhe në bazë të monitorimit të bërë nga ana e MPB-së”, thuhet në raport.
MPB dhe policia poashtu janë vonuar në realizimin e projekteve, me ç’rast Auditi ka vërejtur se katër pagesa në vlerë totale 313,420 €, janë bërë me vonesë.
“Renovimi i objektit të ish-Administratës të policisë ishte paraparë të përfundojë brenda 95 ditëve kalendarike, mirëpo ishte vonuar 245 ditë kalendarike nga koha e paraparë me kontratë; ndërtimi i garazhës – tip i mbyllur në Kampin Vrella në PK punët do të përfundonin brenda 80 ditëve kalendarike, mirëpo janë përfunduar 110 ditë pas afatit të kontraktuar. Menaxheri i projektit kishte arsyetuar këto vonesa, madje edhe ditët e diela edhe pse në kontratë koha ishte e përcaktuar me ditë kalendarike; avancimi i sistemit të menaxhimit të kufirit në PK pjesa e parë e avancimit të sistemit, do të përfundonte brenda 274 ditëve kalendarike, duke filluar nga 13.01.2016. Mirëpo deri në fund të vitit edhe pse kanë kaluar 352 ditë kalendarike, ose 78 ditë vonesë, ishte finalizuar vetëm 80% e projektit. Kjo vonesë ishte si rezultat i pritjes së procedurave të vonuara të prokurimit për blerjen e pajisjeve që të finalizohet projekti në fjalë; dhe vazhdimi i ndërtimit të objektit të QKRC-QKRA në Gjakovë në MPB” ishte përcaktuar që plani dinamik për realizimin e punëve të jetë 120 ditë pune, duke filluar nga data 12.05.2016. Deri në fund të vitit mbas 233 ditë punë, ose 113 ditë vonesë, punët nuk kishin përfunduar. Madje kishte edhe pozicione të pa kryera sipas komisionit për pranimin teknik dhe menaxherit të kontratës. Përkundër vonesave nga operatoret ekonomik nuk janë aplikuar ndëshkimet e parapara me kontratë”, tregon Auditi.
Planifikim jo i mirë i vlerës së kontratave
Në polici gjatë testimit të dy kontratave të prokurimit Auditi ka vërejtur që njësitë e kërkesës nuk kanë planifikuar drejt vlerat e kontratave.
Si rezultat janë anuluar tenderimet/procesi i prokurimit për nevoja të buxhetit shtesë dhe klasifikimit të kontratës sipas vlerës.
“Kontrata ‘Furnizim me pjesë rezervë për autobus të PK’, e ri tenderuar si rezultat i mungesës së mjeteve, ishte parashikuar në vlerën 120,000€ si vlerë e mesme e furnizimit. Ndërsa ishte nënshkruar si kontratë e madhe në vlerë 152,392€ pas aprovimit nga ZKF për mjete buxhetore; dhe kontrata ‘Pajisje për kontroll të bagazheve, veturave dhe persona në PK’, e ri tenderuar si procedurë ishte planifikuar për tri (3) vite në vlerë 240,000€. Mirëpo, kontrata ishte nënshkruar për dy vite në vlerë 307,408€ pas aprovimit për mjete buxhetore. Në këto raste nuk janë hulumtuar në mënyrë të arsyeshme çmimet e përafërta të tregut nga njësia e kërkesës dhe prokurimi për të bërë planifikim të drejtë të nevojave dhe vlerave të kontratave”, tërheq vërejtjen Auditi.
Në polici poashtu kontratat janë nënshkruar pa zotim të mjeteve apo me zotime jo të plota.
“Kontrata ‘Furnizim me municion’ në vlerë 573,950€, e datës 07.06.2016, nënshkrimi i saj është bërë pa zotim të mjeteve. Zotimi është bërë pas një muaji apo me datën 11.07.2016. Ndërsa vazhdimi i validitetit të tenderit dhe sigurisë së tenderit ishte bërë me vonesë, 14 ditë pas vendimit të OSHP-së; dhe kontrata e nënshkruar me datën 03.06.2016 ‘Furnizim me licenca dhe programe kompjuterike’ në vlerë prej 198,163€, zotimi i mjeteve që nevojitet para nënshkrimit të kontratës nuk është as i përafërt me vlerën e parashikuar vjetore të kontratës. Zotimi i bërë ishte në vlerë prej 9,000€”.
Policia ka vonuar edhe nënshkrimin e kontratave deri në 147 ditë, pas periudhës 10 ditësh.
“Furnizim me licenca dhe programe kompjuterike, në vlerë 198,163€, vonesa për nënshkrim është 147 ditë; furnizim me pajisje dhe pjesë elektronike për IT – lloti 3 në vlerë 8,500€, vonesat janë 50 ditë; dhe furnizim me ushqim për PK-në, në vlerë 1,558,848€, vonesa ishte 25 ditë. Sipas zyrtarëve të policisë vonesat janë për shkak se ministri monitoron tërë procesin deri te nënshkrimi i kontratës. Vlerësimi është se procesi i monitorimit duhet të jetë efikas përndryshe mund të sjellë efekte negative në shpenzimin e buxhetit”.
Policia ka vonuar edhe realizimin e pagesave. Në dhjetë pagesa në vlerë 1,099,645€, policia nuk ka arritur të kryejë pagesat në afatin e përcaktuar ligjor. Këto pagesa janë vonuar nga 2 deri në 116 ditë pas afatit 30 ditë për pagesë.
Kjo çështje ishte rekomandim edhe vitin e kaluar, mirëpo edhe përkundër zotimit të menaxhmentit nuk ishte zbatuar.
Vonesa në riparime të automjeteve
Një gjetje tjetër e Auditit në polici është pritjet e gjata të automjeteve që presin për servisim, rekomandim i viteve paraprale por që nuk është përmbushur nga menaxhmeti edhe përkundër zotimit. Në vitin 2016, numri i automjeteve që presin për servisime është shumë i lartë.
Në flotën e policisë 161 automjete presin për servisim dhe riparim për defekte të ndryshme.
12 automjete nga viti 2014; 30 automjete nga viti 2015; dhe 119 tjera gjatë vitit 2016.
Sipas Auditit vonesat në riparime janë si rezultat i mungesës së pjesëve, stafit jo të mjaftueshëm dhe vjetërsisë së automjeteve.
Në anën tjetër policia vetëm gjatë vitit 2016 ka blerë automjete të reja në vlerë 1,894,170€. Vlen të theksohet që në kampin Vrella të PK-së, ishin në proces të shitjes 126 automjete, ndërsa edhe 325 automjete tjera ishin propozuar për t’u shitur. /tesheshi.com/