Rezultatet e autopsisë për ish-aktivistin e lëvizjes “Vetëvendosje” Astrit Dehari lexohen në forma të ndryshme nga prokuroria e Prizrenit dhe avokatit të të riut. Në raport është konkluduar se 26-vjeçari vdiq si pasojë e asfiksisë.
“Vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja (bllokimi) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë valide (të fortë)” dhe se kjo është vetëshkaktuar nga tashmë i ndjeri. Dëmtimet e përshkruara në pikën 1 dhe 2 me besueshmëri janë dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme, por të cilat nuk kanë çuar në shok hemorragjik. Analizat toksikologjike të kryera deri tani, si gjatë autopsisë ashtu edhe pas asaj, rezultojnë negative për barna dhe droga”, shkruhet në raportin e autopsisë.
Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha përmes në një konferencë për mediat tha se provat tregojnë se Dehari ka bërë vetëvrasje.
“Ekspert të forenzikës dhe ekspert vendor kanë filluar ekzaminimin nga vendi i ngjarjes, pas këtyre ekzaminimeve është mbyllur dhoma dhe ka filluar një ekzaminim tjetër. Nuk ka ndërhyrje në video-regjistrimet. 17 persona janë marrë në pyetje dhe janë sekuestruaur të gjitha dëshmitë dhe së shpejti do t’i marrin edhe përfaqësuesit e familjes Dehari. Deri tani nuk është hasur asnjë dëshmi për përleshje ndërmjet të paraburgosurve dhe oficerëve. Në dhomën A3 nuk ka pasur asnjë lëvizje nga jashtë në intervalin kohor nga ora 14-15. Në pjesën e jashtme ka patur roje, i cili është larg dhomës, rreth 10 metra. Kështu që, kjo eliminon çdo mundësi që të ketë ndërhyrje nga pjesa e jashtme e dhomës, nuk është gjetur asnjë provë që mund ta ketë shkaktuar vdekjen e tij nga jashtë. Të gjitha provat thonë se ky rast ishte vetëvrasje”, ka thënë Hoxha.
Por, ky raport është i papranueshëm për avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashi. Përmes një reagimi në Facebook tha se raporti vetëm konfirmon atë që është ditur deri më tani; se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia – bllokim i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë.
“Edhe pas kërkesës tonë që Prokuroria të na dorëzojë provat, që ekspertët e pavarur të angazhuar nga familja Dehari të japin mendimin e tyre, kjo kërkesë nuk është aprovuar as 13 ditë pas vdekjes se Astritit. Meqë nuk na është dhënë asnjë provë që ekspertë të pavarur Dr. Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Dr. Besim Latifaj nga Anglia t’i përdorin për raportin e tyre, atëherë raporti i autopsisë i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë nuk është i plotë”, thotë Gashi. Ai shtoi se do të kërkojë nga Prokuroria materialin në fjalë dhe të analizohet nga ekspertët e tyre.
Komisioni mjekësor që ka përgatitur raportin ishte i përbërë nga mjekët ligjor, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi.
Dehari ishte aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe u arrestua më 30 gusht të këtij viti, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës me armë. Lëvizja VV, që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime mbi rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen e tij. Ai vdiq më 5 nëntor në ambjentet e paraburgimit të Prizrenit./tesheshi.com