Nga Blendi Gashi
Ndërsa për vite me radhë Serbia e trazoi dhe vazhdon t’a mbajë nën tension veriun e Kosovës përmes strukturave paralele, tashmë këtë pjesë po tenton kontrollin me petkun rus, përmes organizatave humantiare, që sipas tyre, do të ndihmojnë serbët që jetojnë në komunat veriore.
Dhe për këtë të hënën drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, dhe Branimir Nesiç, shefi i zyrës rajonale për OJQ-Ballkan “Mision humanitar rus”, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, që në të ardhmen do të ndihmojë serbët e Kosovës, në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe asistencës sociale.
Por se kjo organizatë mund të jetë e rrezikshme dhe është krijuar me qëllim të dëmtojë shtetin e Kosovës, e tregon reagimi i qeverisë amerikane pas Qendrës Humanitare Ruse të vendosur në qytetin e Nishit, ku akuzoi Serbinë e Rusinë, se kjo qendër nuk kishte të bënte me aktivitete humanitare, por po vepronte si një qendër e shërbimit sekret rus, për të penguar interesat amerikane në Ballkan.
Dalja në skenë e kësaj organizate ruse ka trembur jo pak institucionet, por edhe opozitarët e njohësit e sigurisë që thonë se Serbia përmes organizatave tilla po mundohet të destabilizojë situatën e sigurisë në vend.
Zv.kryeministri, Enver Hoxhaj, ka thënë se qeveria e Serbisë po tenton të ndërhyjë në Kosovë duke i maskuar strukturat paralele si shërbime humanitare të ofruara nga OJQ-të ruse.
Hoxhaj në reagimin e tij në “Twitter” ka shkruar se Marko Gjuriç dhe zyra e tij në Beograd janë duke shërbyer si dorë e zgjatur e ndërhyrjes hibride të Rusisë me qëllim të dëmtimit të stabilitetit të udhëhequr nga ShBA-ja dhe BE-ja në Ballkan.
“‘Asistenca humanitare’ e Rusisë nuk është asgjë tjetër veçse një instrument për ta kthyer prapa investimin qëllim mirë të Perëndimit në stabilitetin e rajonit”, ka deklaruar Hoxhaj.
Shqipe Pantina, deputete e Vetëvendosje-s thotë se Kosova ka ligjin për regjistrimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së organizatave joqeveritare, dhe se çdo organizatë që vjen për të kryer aktivitete duhet të regjistrohet në këtë zyrë.
Pantina e pranon se në të kaluarën ka pas organizata që janë regjistruar si OJQ por që kanë kryer aktivitete të jashtëligjshme dhe për këtë disa prej tyre edhe janë suspenduar ose pezulluar aktiviteti me kërkesë të Ministrisë se Punëve të Brendshme.
“Për organizatat kur qëllimi i tyre është i dyshimtë është detyrë edhe e Agjencisë së Inteligjencës të hulumtoj punën e tyre dhe njerëzve të angazhuar aty. Prandaj edhe në këtë rast besoj se edhe zyra për regjistrim dhe monitorim të OJQ-ve por edhe AKI duhet të kryejnë punën e tyre siç duhet”, thotë Pantina për tesheshi.com.
Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, hyrjen e kësaj organizate ruse siç cilësohet humanitare e sheh si sulm direkt ndaj Kosovës nga Serbia e Rusia, që sipas tij po duan të pengojnë hapur ecje të shtetit tonë.
“Serbia përmes kësaj organizate do të bëjë presion në mënyrë direkte ndaj institucioneve të Kosovës.
Do të gjejë forma dhe mënyra të sofistikuara për ta shtrijë aktivitin e vet.
Institucionet duhet të jenë syhapur ta përcjellin këtë organizatë por edhe rastet ilegale të grupeve të ndryshme qoftë serbëve apo rusëve që kamuflohet si gazetarë apo persona tjerë, të cilët i shoh më të rrezikshëm se kjo organizatë, e cila do duhet të regjistrohet dhe dihet se kush qëndron prapa saj.
Megjithatë nuk duhet të nënvlerësohet por të mbikëqyret ç’punë do të bëjë”, thotë Islami për tesheshi.com. /tesheshi.com/