Topçinjtë kishin barazuar në dy ndeshjet e fundit në Premier League, duke e shtuar pakënaqësinë te mbështetësit e tyre. “Emirates Stadium” ishte aty-këtu bosh në takimin e mbrëmshëm, si për të treguar ftohjen e tifozëve me skuadrën.
Arsenali synonte në fillim të sezonit të luftonte për titull, kurse tani objektivi i vetëm është renditja në tre vendet e para. Diçka e realizuar gjer më tash, pasi skuadra u ngjit në vend të tretë mbrëmë pas asaj fitoreje të arritur pa shumë mund.
Me vetëm 50 gola të shënuar në 51 takime të këtij sezoni në tërë aktivitetet, e me vetëm 93 goditje në portë në kampionatin anglez, më pak se çdo skuadër tjetër, Uest Bromuiçi dukej që në fillim të lojës një kundërshtar lehtësisht i mposhtshëm.
Kiliani Alexis Sanchez e zhbllokoi shpejt rezultatin me golin e tij në minutën e 6-të. I njëjti lojtar i thelloi shifrat shtatë minuta para mbylljes së pjesës së parë.
Pjesa tjetër e lojës kaloi pa ndryshuar diçka, me Arsenalin që siguroi një fitore të lehtë 2-0.
Arsene Venger do të deklaronte pas ndeshjes:
“E bëmë punën në mënyrë serioze. Luajtëm mirë teknikisht, dhe e vetmja keqardhje është se duhej të kishim shënuar më shumë gola. Jemi në një pozicion ku varet nga ne që të përfundojmë në tre vendet e para, por ne duam më shumë, e do të luftojmë për ta bërë këtë.” /tesheshi.com/