Ish-zv.ministrja e Jashtme dhe anëtare e Kryesisë së PD, Edit Harxhi, deklaroi se Lulzim Basha po tenton që të nxjerrë jashtë loje ish-kryeministrin Sali Berisha.
Sipas saj, Basha po mundohet që të anashkalojë fuqinë e Berishës në strukturat e PD, ndërsa shton se nuk sheh shpresë te kryetari i PD, që mund të bëjë opozitë përballë qeverisë Rama.
“Fatkeqësisht mendoj se Basha vazhdon në të njëjtën linjë, tani ka arritur një fazë tjetër, është munduar të shprehë mendimin e tij për nxjerrjen jashtë loje ndoshta ‘de facto’ se ‘de juro’ ai është pjesë e grupit të zotit Berisha.
Duke e anashkaluar fuqinë e liderit historik në PD në strukturat e PD. Në fjalinë që ai tha, se ‘tregon kush është lideri’, deshi të tregojë që ‘unë jam lideri’ dhe Berisha nuk merr vendime, prandaj keni parasysh se unë jam këtu” u shpreh ajo, në një intervistë për Report tv.
Grupi anti-Basha në PD kërkon ndryshime në statut, rikonstituim në bazë të zgjedhurish jo të emëruarish në forumet e së djathtës, por mbi të gjitha mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të analizuar humbjen e thellë në 25 qershor.
Harxhi shprehet se situata në Shqipëri po degjeneron si në 1997 përsa i përket centralizimin që po i bëhet pushtetit.