Një nga format më të diskutueshme të argëtimit në historinë e SHBA-së, maratonat e kërcimit, i detyronin pjesëmarrësit të vallëzonin thuajse pandërprerë për ditë, javë dhe nganjëherë edhe muaj, në këmbim të shansit për të fituar ushqim dhe para.
Gjatë viteve 1920, ringjallja e Lojërave Olimpike nxiti një interes të madh për bëmat mbresëlënëse të forcës dhe qëndrueshmërisë fizike të njerëzve. Ato çuan në rritjen e popullaritetit të garave të vallëzimit që zgjasnin për periudha të gjata kohore.
Në 1923, çmenduria e maratonave të kërcimit, regjistroi rekorde botërore për kërcimin pa u ndalur. Kjo mani thyente gati çdo ditë rekorde të reja. Por gjërat dolën jashtë kontrollit, kur vitet e begata 1920 u zbehën me ardhjen e Depresionit të Madh ekonomik të viteve 1930.
Kësisoj, gara e kërcimit në fillim e padëmshme, u shndërrua në një spektakël makabër ku njerëzit vdisnin nga lodhja në pistën e vallëzimit për të pasur mundësinë e fitimit të çmimeve të ndryshme në para, për të cilat kishin aq shumë nevojë.
Në shkurtin e vitit 1923, instruktorja e kërcimit Alma Kamings vendosi një rekord botëror për kohën më të gjatë të vallëzimit pa asnjë ndërprerje, 27 orë. Por sipas standardeve të maratonës së kërcimit të viteve 1930, performanca e saj ishte modeste. Kjo sepse garuesit kërcenin përditë, ndonjëherë edhe javë me radhë për mundësinë e fitimit të ekuivalentit të parave të një rroge vjetore, në një kohë kur shumica e njerëzve rropateshin dhe në shumë raste mezi ia dilnin të gjenin dhe shtronin diçka për të ngrënë në tryezë. Njerëzit ishin të dëshpëruar, ndaj organizatorët e maratonës së kërcimit e shfrytëzuan me djallëzi situatën për të organizuar spektakle rraskapitëse për turmat e njerëzve që ishin të gatshme të paguanin për t’i ndjekur ato. Rregullat e maratonave të kërcimit të epokës së Depresionit të Madh ishin shumë të rrepta.
Garuesit duhej të qëndronin në lëvizje të vazhdueshme për t’u llogaritur si kërcimtarë, teksa iu lejohej vetëm 15 minuta pushim në orë. Më pas ndërhynin infermieret që u masazhonin këmbët. Po ashtu, garuesit mund të përdornin tualetin nëse kishin nevojë.
Zakonisht ngrënia e ushqimit dhe pirja e ujit ndodhte gjatë vallëzimit. Ashtu si edhe detyrat e tjera si larja, rruajtja apo leximi i gazetës. Gara të tilla sfilitëse monitoroheshin nga afër. Garuesit shoqëroheshin nga stafi gjatë pushimit apo shkuarjes në tualet.
Një nga rregullat më të rëndësishme në një maratonë kërcimi, ishte që gjunjët e një garuesi të mos preknin tokën, pasi kjo do të sillte skualifikimin e tij. Për këtë arsye, shumë foto të realizuara gjatë garave të tilla, i tregojnë kërcimtarët duke i mbajtur partnerët e tyre lart ndërsa ata dremisin, për të mos lejuar që gjunjët e tyre të prekin dyshemenë.
Partnerët flinin me radhë për disa minuta, madje lejohej që të ndryshonin edhe partnerët, nëse këta nuk mund ta vazhdonin dot garën. Nuk ishte e pazakontë që kërcimtarët të lëviznin vazhdimisht në pistën e vallëzimit për qindra, madje mijëra orë. Prandaj rraskapitja fizike ishte një nga tërheqjet kryesore për spektatorët kureshtarë.
Për t’i zgjuar pjesëmarrësit e lodhur, përdoreshin erërat e kripës dhe shuplakat e forta. Por në raste ekstreme përdoreshin edhe banja me akull. Mjerisht, këto metoda nuk bënin dot asgjë për të parandaluar efektet anësore të rrezikshme të rraskapitjes dhe mungesës së gjumit.
Pas dhjetëra ose qindra orësh vallëzimi të vazhdueshëm, garuesit prekeshin nga psikoza të rënda mendore. Dhe në një rast të dokumentuar, burri i një gruaje e goditi atë me grusht në nofull. Më pas kjo e fundit u përpoq të vetëvritej, pasi kërceu për 19 ditë rresht dhe në fund u rendit e pesta.
Në një rast tjetër, një djalë 21-vjeçar u rrëzua përtokë dhe filloi të vjellë gjak pas disa ditësh kërcënimi maratonë në pistën e vallëzimit. Ndërsa akoma më shumë njerëz zbuluan anën tragjike të maratonave të kërcimit, qytetet anembanë Shteteve të Bashkuara nisën që t’i ndalonin me ligj ato.
Ato ishin bërë popullore në një kohë kur njerëzit gjenin ngushëllim, duke i parë të tjerët që të luftonin edhe më fort se ata. Por garat ishin bërë kaq ekstreme, sa që njerëzit filluan t’i shihnin si spektaklet e tmerrshme që ishin bërë vërtet të tilla.
Në kohën kur maratona e kërcimit nisi të zbehej si një praktikë në fund të viteve 1930, ajo kishte regjistruar tashmë disa nga rekordet më tronditëse në histori. Kalum Devilier dhe Voni Kushinski nga Mineapolis, morën çmimin e parë në një maratonë të zhvilluar në Somervil të shtetit Masaçusets, pasi vallëzuan për 3.780 orë gjatë një periudhe prej 5 muajsh.
Ylli i Vodevil, Xhun Hevok kërcente vazhdimisht për 3000 orë, ose më shumë se katër muaj, ndërsa flinte vetëm në intervale 15-minutëshe. Maratonat e kërcimit gati u ndërprenë gjatë viteve 1940, pasi vëmendja e njerëzve u zhvendos tek Lufta e Dytë Botërore.
Njerëzit po ktheheshin në punë, dhe nuk kishin kohë të shihnin të tjerët që lëviznin pafundësisht në pistën e vallëzimit derisa shembeshin përtokë nga lodhja. Për më tepër, spektakle të tilla ishin tashmë të ndaluara në shumicën e qyteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara.
Sot, maratonat e kërcimit janë harruar plotësisht, dhe e vetmja provë e ekzistencës së tyre është një koleksion fotografish të çuditshme, që tregojnë njerëz që mbajnë me shumë mund gjunjët e partnerëve të tyre të përgjumur që të mos prekin dyshemenë.
Në vitin 1969 në SHBA, dhe më pas në mbarë botën, bëri bujë filmin me titull “A nuk i vrasin edhe kuajt kështu?” me regji të Sidnej Pollak dhe me protagonistë aktorët Xhejn Fonda dhe Majkëll Sarrazin. Ai bazohet pikërisht tek ato gara të pazakonta. /tesheshi.com/