Një raport i publikuar këtë të mërkurë nga Amnesty International flet për më së paku 200 civilë të vrarë nga sulmet ajrore ruse mbi Siri që kur ato nisën në fund të shtatorit.
Sipas këtij raporti, fushata ajrore ruse në Siri u ka marrë jetën qindra civilëve dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në zonat e banuara.
Raporti veçon gjashtë sulme ajrore të kryera mes shtatorit dhe nëntorit mbi qytetet e Homsit, Idlibit dhe Halepit, prej të cilëve mbetën të vrarë më e pakta 200 civilë dhe një duzinë rebelësh.
Po ky raport flet për fshehje prej Rusisë të dëmeve të shkaktuara një xhamie në një sulm ajror, si dhe të një spitali fushor në një sulm tjetër.
Amnesty International ka sqaruar se raportimi është mbështetur në dëshmitë e dëshmitarëve dhe të të mbijetuarve të sulmeve ajrore. E po ashtu janë shqyrtuar imazhe dhe pamje filmike që tregojnë atë çfarë ka mbetur pas sulmeve.
Vetëm dje, siç raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu Ajansı, e cila u referohet burimeve lokale, u vranë më së paku 35 civilë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë kur avionët luftarakë rusë goditën një treg në Gutën Lindore.
Mbrojtja Civile Siriane njofton se sulmet ajrore kishin në shenjë një fshat të kontrolluar nga kundërshtarët e regjimit sirian, por lanë të vrarë një numër grash dhe fëmijësh.
Sulmet ajrore të avionëve luftarakë rusë e kanë ndryshuar tërësisht panoramën e luftës në Siri. Ndërsa autoritetet e Moskës pretendojnë se në shënjestër janë vetëm luftëtarët e ISIS-it, nga shumë vende të NATO-s, e veçanërisht nga Turqia, deklarohet se ato po godasin forcat e moderuara që luftojnë kundër Beshar Esadit, e po ashtu civilët, posaçërisht turkmenët. /tesheshi.com/