Nga Asqeri Diko
Ali Ishsever-in e njoha para 17 vitesh, më 1998, në Bajrampasha të Turqisë, Ishte babai i katër djemve dhe i një vajze, por kishte një grua të sëmurë, vuante nga kanceri. Kjo ishte brenga e madhe e tij. Ishte gati të jepte gjithçka për të shpëtuar jetën e saj, por nuk mundi.
I vetmi ngushëllim i tij ishte: të varrosej në të njëtin varr me bashkëshorten.
Mbiemri i Ali Ishsever-it, në turqisht ka kuptimin “punëdashës”. Dhe Aliu ishte vërtet njeri i punës. Me punë ishte bërë i pasur. Ndihmonte vazhdimisht shqiptarët e emigruar vite më parë në Turqi, por edhe ata që po vinin pas viteve ’90.
Ishte kosovar. Gjyshërit e tij kishin jetuar në veri të Shqipërisë. Në vitet 1600-1700 ishin vendosur në Zllatar, në një fshat që gjendet mes rrugës Ferizaj-Gilan-Gjilan në malësi. Prindërit e tij kishin një dyqan ushqimor. Edhe në Kosovë gjithçka që kishin e ndanin me kosovarët që kishin nevojë. Kur jeta nisi të bëhej e vështirë ai mori rrugën e kurbetit. Mbërriti në Turqi më 15 gusht 1958.
Në Bajrampasha mbërriti pa një qindarkë në xhep. “Për shumë kohë e pata të vështirë,-tregonte Ali Ishsever-i, por faleminderit shtetit turk, na përkrahu dhe shumë shpejt rregullova ekonominë e familjes”. Fillimisht ishte marrë me tregti, sillte nga Gjermania dhe Italia tekstile, soba, makina për larje rrobash etj. Në vitin 1960 hapi një dyqan për tregtimin e gazit butan. Ashtu si babai i tij, Qamili dhe nëna, Elife, që ndihmonin kosovarët me aq sa mundeshin, edhe ai nisi të ndihmonte emigrantët. Shtëpia e tij ishte çdo ditë e mbushur me shqiptarë.
Me konsullatën shqiptare kur ishte konsull Besimi dhe Kujtim Ymeri kishte patur lidhje të forta. Interesohej për problemet ekonomike të bashkatdhetarëve, që vinin nga Elbasani, nga Lushnja, nga Fieri nga Vlora, si dhe kosovarët. Për këtë arsye, në përvejtorin e dytë të shpalljes së Kosovës republikë e ftuan të merrte pjesë në ceremoninë e Lapidarit të Dëshmorëve në Kosovë.
Ali Ishsever-i ishte njeri i shkolluar. Pas përfundimit të gjimnazit në Ferizaj, më 1945 shkoi në Universitetin e Beogradit në degën Teknike. Studentët ishin nga të gjitha krahinat e Serbisë, por shqiptarë ishin vetëm katër: Vesel Hoxha nga Rahoveci, Sali Bukoshi nga Suhareka, Ramush Isufi nga Gilani dhe Aliu nga Ferizaj. Ishin ndër më të mirët e Universitetit. Të bisedoje me Ishsever-in ishte kënaqësi.
Me këtë njeri u njoha krejt rastësisht. Ato kohë pata një shqetësim, nuk po siguroja dot bursën që vajza të vazhdonte studimet në Universitet. Një miku im, Kadri Kuke nga Berati, më këshilloi të shkoja te Ali Ishsever-i, sepse vetëm ai i zgjidhte hallet e shqiptarëve. Shkova pa ndonjë shpresë të madhe, por gatishmëria e tij për të më ndihmuar më habiti. “Ngreu të shkojmë në Bashki,-më tha. Me t’u gjendur në zyrë, iu drejtua kryebashkiakut: “Këtë shoqin këtu pranë, e kam njeriun tim, vajza i vazhdon Universitetin në Ankara , por është i dobët nga ana ekonomike, prandaj të lutem zoti kryetar, ndihmoje me bursë”. Mirëpo plotësimi i kërkesës tonë rezultoi i pamundur sepse ne figuronim si banues në Bejkozë. Është e pamundur,- tha kryetari i Bashkisë. Atëherë po e regjistroj unë në familjet teme,- ndërhyri Ishsever-i. Propozimi i kosovarit u pranua dhe vajza ime Anisa Diko, mori dy vjet bursë nga ajo bashki.
Kur mbushi 75 vjet, shoqata e emigrantëve shqiptarë festoi përvejtorin e lindjes së tij. Sekretari i shoqatë i dhuroi medaljen e punës
Në vitin 2000 bashkëshortja e tij, Hatixheja u nda nga jeta. Ai nuk mundi të qëndronte më në Bajrampasha. Shkoj në Byjykçekmexhe. Por edhe në këtë qytet, shtëpia e tij sërish nisi të mbushej me shqiptarë. Interesohej për punësimin e tyre, për strehimin, i ndihmonte me të holla, bënte gjithçka mundej. Nuk pushoi qoftë edhe një ditë të vetme deri sa u nda nga jeta
Ishte një ditë dhjetori 2014, kur teksa gjendej mes bashkëatdhetarëve, duke shkuar në sallonin e shtëpisë së tij, u rrezua. Kocka e moshuar nuk e mbajti peshën e tij prej burri mbi 2 metra. E çuan në urgjencë, por nuk pranoi të operohej. Gjendja e tij u përkeqësua edhe më tepër. Më pas u operua dy herë, por përmirësim nuk pati. Shkoi te fëmijët e tij në Bajrampasha. Edhe atje u shtrua në spital. E mora disa herë në telefon: Jam i sëmurë Asqeri,- më tha. Mjekimet i vazhdoi për gati 8 muaj. Gjendja shëndetësore e tij u rëndua edhe më tepër. Natën e 6 shtatorit 2015, ora 001, zemra e plakut 92 vjeç e 22 ditë, pushoi së trokituri. E varrosën në varrin e gruas, më 6 shtator 2015. Me dhjetra shqiptarë e turq, fëmijët e tij e dashamirës nderuan emrin e Ali Berisha, këtë mbiemër mbante në Kosovë. Atë ditë të gjithë emigrantët ndiheshin si jetimë. /tesheshi.com/