Nga Luljeta Progni
Afrim Krasniqi, një nga ish-drejtuesit e të rinjve demokrate vite më parë, bën një analizë në atë që po ndodh me riorganizimin e Forumit Rinor të PD-së. Ajo së cilës i druhet Krasniqi është partitizimi i skajshëm i këtij organizmi, gjë që mund ta zhvesh nga profili, fryma që duhet të bart. Ai kujon atë kohë kur edhe pse “siglat” e dy partive të mëdha ishin në një antagonizëm ekstrem, forumet e tyre rinore përkatëse dinin të bashkëpunonin, siç në rastin e kauzës kosovare…
Këto ditë po zhvillohen zgjedhjet për Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Ju keni qënë për disa vite në krye të këtij forumi. Me siguri e keni ndjekur këtë garë. Çfarë ju duket se shkon apo nuk shkon mirë në këtë garë? Sa demokratike ju duket rruga e secilit prej kandidatëve për t’u shfaqur në këtë garë, pra suporti që secili prejt yre ka nga lidershipi i partisë për të konkuruar për kryetar të FRPD-së?
Është pozitiv fakti se pas mëse një decade, FRPD ka vendosur të bëjë zgjedhje dhe votime, siç është pozitive që kjo të ndodhë në cdo parti politike dhe në çdo nivel. Praktika e emërimeve në krye të tij ishte e gabuar dhe rezultoi e gabuar. Kjo ka krijuar një kulturë formaliteti ku humb identiteti dhe krijohen struktura imituese të liderit, cilido qoftë ai. Kjo kulturë në fakt u reflektua edhe në nisjen e kësaj gare, për shkak se kandidatët më shumë u kujdesën të thonë se përfaqësonin X lider në parti sesa përfaqësojnë një ide, program, alternativë dhe identitet rinor në FRPD. Gjithësesi, vetë gara formale është një hap pozitiv. E shoh pozitiv edhe simbolikën për kandidim të lirë, fillimisht 6 e më pas 3 kandidatë në garë. Në elementët e tjerë thelbësor, si p.sh, në debatin midis kandidatëve, alternativat apo raportin midis rinisë dhe partisë nuk kam parë ndonjë element pozitiv, përkundrazi, ecje në modelin e vjetër të retorikës formale.
Më konkretisht në ç’pikë ju ngjajnë me modelet e vjetra këta të rinj që duan të fitojnë kreun e forumit?
Për shembull gara më shumë ngjan një garë midis dy të rinjve që premtojnë të rrezojnë qeverinë e majtë sesa midis dy alternativave rinore për më shumë rini, ide, vizion, përfaqësim dhe demokraci në vetë PD-në, kur në fakt ata zgjidhen për këtë të dytën. Nuk e dimë se çfarë mendojnë për shkollën, për punën, për reformat, për gjithcka që shqetëson moshën e re. Edhe ndërthurja në garë e rivaliteteve midis grupeve të caktruara të interesit, të djathta ose rastësisht të djathta, e dobëson konceptin e garës dhe me siguri do prodhojë një zgjidhje të sforcuar, larg nevojave dhe pritshmërive që kanë të rinjtë demokratë dhe FRPD në stadin aktual politik.
Sa ndikim ka lidershipi i PD-së në këtë model gare?
Duket sikur PD ka vendosur që pretendimet për më shumë demokraci brenda saj t’i testojë përmes FRPD, pra ta përdorë këtë rast për të treguar se ka shkallë të lartë konkurrence dhe demokracie. Nga ky aspekt, më duket gjetje e sforcuar dhe jo bindëse. Rinia është tjetër, partia tjetër. Ja p.sh, as tek organizata e grave nuk ka votime prej vitesh dhe nuk po shohim zgjedhje të reja, as në parti në nivel qendror nuk ka pasur votime prej vitesh dhe formula e një kryesie që kooptohet për shkak të funksioneve nuk rezultoi përfaqësuese dhe as cilësore. Në aspektin e votimit më shumë demokraci ka pasur në PD në filim të viteve 90 sesa ka sot, pas 25 vitesh dhe kjo është një kritike thelbësore për gjendjen ku ndodhet kultura e votës, e përfaqësimit dhe e vendimmarrjes në Shqipëri.
Kthehemi në fillimet, pasi është edhe 25-vjetori i themelimit të PD-së. Ju keni qënë pjesë e këtyre zhvillimeve dhe sigurisht e njihni historinë e themelimit të FRPD-së. Cilat ishin dilemat e këtij momenti, hezitimet për të ngritur një forum rinor i ndryshëm nga organizatat e rinisë komuniste?
Pas lëvizjes studentore pakush donte të kishte organizatë rinie. Ekzistenca e BRPSH, organizata e rinisë e PPSH dhe praktika negative e saj kishte krijuar precedent negative dhe nuk donim ti ngjanim PPSH në organizim. Për më tepër, studentët në atë kohë ishin gjysma e kryesisë së PD dhe ishin forca e saj kryesore përfaqësuese, ndaj nuk ndjehej një boshllëk në përfaqësim. Pas disa muajsh, sidomos në fundin e verës 1991, u konstatua një ndryshim me rëndësi në PD, mënjanim i studentëve nga politika qëndrore dhe nevoja për përfaqësim rinor. Pikërisht në këtë kohë u vendos dhe u realizua krijimi i FRPD. Në statusin e tij theksohej autonomia brenda PD dhe vetë PD e pranoi këtë raport. Ishin kohë kur PD i druhej rinisë dhe një deklarim i FRPD kishte vlerë të madhe në PD dhe politikat e saj. Ndaj kishte një vend të rëndësishëm dhe të respektuar dhe se drejtuesit, kishin përfaqësim politik në parlament dhe në kryesinë e PD-së.
Në se i referohemi mënyrës se si janë bërë zgjedhjet për këtë forum, cilat janë momentet kur kryetari i këtij forumi është zgjedhur me garë dhe jo me diktatin e lidershipit të PD-së?
Unë kam ardhur në krye të FRPD pas vitit 1992 dhe si kryetar midis viteve 1994-1998. Ishin kohë të tjera, potencialet rinore ishin shumë të mëdha, në PD kishte më shumë demokraci, dhe rinia ishte pjesë e cdo vendimmarrjeje politike. Në tentuam të kryejmë katër funksione atë kohë: të ribashkojmë të rinjtë student dhe të krijojmë një strukturë përfaqësuese të tyre, gjë që e arritëm. Pjesë e aktiviteteve tona ishin shumë prej figurave publike që sot në një moshë tjetër janë edhe në parti të ndryshme, pra nuk kërkuam një organizatë militante, por një organizatë të hapur, ku anëtarësia në parti nuk ishte detyrim dhe ku rinia nuk keqpërdorej si dekor për mbrëmje argëtuese, sic ndodh rëndom edhe sot.
Së dyti, tentuam të krijojmë një elitë të re politike dhe në zgjedhjet pasuese në PD dhe zgjedhjet lokale e parlamentare promovuam më shumë se 35% të drejtuesve përfshirë edhe 6 deputetë në parlament. Ky ishte suksesi më i madh përfaqësues, pas dhjetorit 1990. Së treti, synuam njohje ndërkombëtare dhe FRPD u anëtarësua në DEMYC, IYDU dhe IYPP shumë kohë përpara aderimit të PD-së në EDU dhe EPP. Së fundi, por me shumë rëndësi, tentuam të plotësojmë boshllëkun në jetën e rinisë, në shumë aspekte. Për herë të parë u aplikuan kurse kualifikimi politik, trajnime, konferenca vjetore, aktivitete historike dhe praktike, organizuam koncerte dhe aktivitete të shumta në çdo qytet dhe në vend, si dhe për herë të parë futëm në fushata modelin e aktivitetit politik dhe argëtues, me pjesëmarrjen e politikanëve kryesorë dhe të artistëve më të njohur në vend. U ndihmuam nga realiteti tjetër ku ndodhej Shqipëria, por edhe nga rritja e FRESH, sepse kur dy organizata rinore janë në rivalitet pozitiv secila motivohet për më shumë. Madje në raste si i protestave studentore në Kosovë, etj, për herë të parë në tranzicion FRPD dhe FRESH organizuan aktivitete reagimi të përbashkëta, – kohë kur nuk imagjinohej që të kishte as kontakte formale midis PD e PS. /tesheshi.com/