Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurori 12 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ndër to edhe Drejtoreshën e Prokurorimeve, pasi sipas KLSH-së i kanë çuar dëm arkës së shtetit rreth 607 mijë euro.
Në një njoftim për tesheshi.com, Kontrolli i Lartë i Shtetit, se pas auditimit të Ministrisë së Brendshme ka gjetur një sërë parregullsish dhe shkeljesh në procedurat e prokurimeve publike të realizuara të cilat kanë sjellë një dëm për buxhetin e shtetit në vlerën 85,038,494 lekë (607 500 euro). Nga auditimi u konstatua se nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në procesin e vlerësimit dhe kualifikimit të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë (OE) është përdorur standard i dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tender. Për të njëjtat parregullsi në dokumentacion, KVO ka kualifikuar dhe shpallur fitues OE me ofertë më të lartë ekonomike dhe ka s’kualifikuar OE me ofertë më të ulët, ndërkohë që bazuar në kërkesat ligjore duhet të anulonte dhe të përsëriste procedurën e tenderit. Gjithashtu në disa prej procedurave të tenderimit të audituara, Njësia e Prokurimit, në formulimin e kritereve për cilësinë dhe origjinën e mallrave, ka lënë vend për interpretime të gabuara nga KVO, ku OE kanë paraqitur deklarata personale duke u shprehur “… mallrat e ofruar nga ne janë të cilësisë së parë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e DT. Origjina e mallrave është nga Italia, Turqia dhe Kina”. Pavarësisht faktit që deklarimet personale nuk ishin Certifikata Origjine, KVO i ka pranuar dhe i ka konsideruar si të rregullta këto deklarime personale të OE. Njësia e prokurimit ka qenë e pranishme në vlerësimet që ka bërë KVO, por nuk ka ndërhyrë për korrigjimin e kësaj pasaktësie, e cila ka ndikuar në kualifikimin apo s’kualifikimin e OE. Nga auditimi u konstatua që në procedura të caktuara prokurimi ishin vendosur kritere diskriminuese,duke paracaktuar kështu dhe OE fituese në tender. Këto parregullsi u konstatuan:
Në tenderin me objekt “Blerje pjesë ndërrimi për automjete për shërbimet profilaktike” loti i II, ku nga s’kualifikimi padrejtësisht i një OE, buxheti i shtetit ka patur një dëm në vlerën 7,526,666 lekë.
Në tenderin me objekt “Blerje tonerë” me fond limit 104,674 mijë lekë, nga s’kualifikimi i një OE, ka lënë fitues OE oferta e të cilit ishte 16,102,785 lekë më e lartë, pavarësisht se të dy operatorët kishin mungesa dokumentare. Në këtë mënyrë buxheti i shtetit ka patur një dëm në vlerën 16,102,785 lekë.
Në tenderin me objekt “Blerje uniformash, veshmbathje dhe elementë të tjerë, përbërës të tyre” loti I, me fond limit 50,714 mijë lekë, u konstatua se KVO ka s’kualifikuar OE me ofertë 15,241,292 lekë më të ulët se sa fituesi i kësaj gare, vlerë që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
E njëjta problematikë u konstatua edhe në tenderin “Blerje automjete speciale për Ministrinë e Mbrojtjes” me fond limit 25,833 mijë lekë. Në tenderin me objekt “Blerje pajisje elektronike dhe telekomunikacioni-loti VI”(blerje kompjuter, desktop, vvorkstation, laptop) me fond limit 140,240,040 lekë, nga i s’kualifikuari OE me ofertë 3,174,077 lekë më të ulët se sa OE që është shpallur fitues, buxheti i shtetit ka patur një dëm në po të njëjtën vlerë.
Në tenderin me objekt “Blerje Certifikatash për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile”, me fond limit 14,999,999 lekë, konstatohet se është s’kualifikuar OE, me ofertë ekonomike 1,605,706 lekë më të ulët se sa OE i shpallur fitues, ndërkohë që të dy operatorët nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Në procedurat e audituara, kriteri i vlerësimit të miratuar nga Njësia e Prokurimit, është çmimi më i ulët dhe në kushtet kur operatorët ekonomikë të paraqitur në konkurim nuk i plotësojnë 100% të kërkesave kualifikuese, atëherë KVO-ja duhej të anulonte procedurën ose të kishte shpallur fitues konkurentin që është paraqitur me çmim më të ulët.
Ndërsa në tenderin me objekt “Blerje Fuoristrada & Mikrobusë” për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH), loti i parë, me fond limit 169,596 mijë lekë, u konstatua se njësia e prokurimit me kriteret e vendosura në KVK, ka lënë jashtë gare një OE me ofertë ekonomike 40,795,628 lekë më të ulët duke paracaktuar fituesin e tenderit pavarësisht vlerës së ofertës së paraqitur”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdon më tej në shkresën e firmosur nga kryetari Bujar Leskaj se “Shkeljeve dhe problematikave në procedurat e prokurimeve i shtohen edhe konstatimi se gjatë realizimit të buxhetit të vitit 2014, është cënuar rëndë parimi kryesor i realizimit të buxhetit, parimi i annualitetit, pasi janë përdorur Letër Kredi për të realizuar investime dhe për shpenzime operative nëpërmjet likuidimit të kontraktorëve të ndryshëm për njësi të varësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përdorimi i Letër Kredisë në këtë institucion, është bërë në Programin “Policia e Shtetit” për “Blerje automjete për QFMT”, në vlerë 372,340,000 lekë dhe në Gardën e Republikës në vlerë 6,995,000 lekë, por jo vetëm.
Gjatë vitit 2014 është realizuar me këtë formë likuidimi i 30% të fondeve për investime në programin e Policisë së Shtetit, ndërkohë në të gjitha përdorimet e Letër Kredisë nuk kishte një marrëveshje të qartë midis palëve, për kushtet dhe vlerat e komisioneve që detyrohen të paguajnë palët për këto “ngurtësime të fondeve buxhetore” në bankat e nivelit të dytë.
Nga auditimi rezultoi që Ministria e Punëve të Brendshme paguan si pasojë e shkurtimeve për shkak të ndryshimeve strukturore, 38 nëpunës civilë në listë pritje, për një periudhë 1 vjeçare, duke shkaktuar kështu një efekt financiar në buxhetin e shtetit që shkon rreth 38,1 milion lekë. Ndërkohë nga auditimi i procedurave të zbatimit të vendimeve gjyqësore konstatuam se shumica e pagesave nuk është kryer vullnetarisht, por me ndërmjetësinë e Zyrave Përmbarimore, për të cilat janë paguar edhe vlera të konsiderueshme tarifash përmbarimore, çka përbën një shpenzim joefektiv të fondeve të buxhetit të shtetit. Nga auditimi i praktikave dokumentare rezultoi se për shumë vendime gjyqësore (të cilat nuk i referohen shpërblimit të dëmit), kur janë ekzekutuar nuk është kryer ndalesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Nga auditimi rezultoi se skemës së sigurimeve i mungon një vlerë prej 5,132,135 lekë, për vendimet e ekzekutuara.
Shuma që i detyrohen subjektet Aparatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa mundur të arkëtohen në buxhetin e shtetit për vite me radhë, është në vlerë 32,528,754 lekë.
Për të gjitha, parregullsitë e konstatuara në procedurat e prokurimit referuar dëmit ekonomik 85,038,494 lekë (607 500 euro), shkaktuar buxhetit të shtetit nga shkelja e barazisë në tender, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për zj. V K me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Prokurimeve Publike të Përqendruara, në cilësinë e kryetares së KVO dhe zj. E P, zj. E S, zj. E S, z. Y P, znj. A N, z. A G, z. M P, z. A J, z. E Gj, z. A Z, zj. E S, në cilësinë e anëtarëve të KVO, pasi kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. KLSH kërkon që të gjithë këta zyrtarë të largohen menjëherë nga Shërbimi Civil.
/tesheshi.com/