Dy partitë opozitare kosovare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë nënshkruar sot marrëveshje për koalicion parazgjedhor, por pa Vetëvendosje-n, me të cilën për shtatë muaj kundërshtuan qeverinë “Mustafa”.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se po e thellojnë bashkëpunimin me AAK-në me një koalicion parazgjedhor, i cili sipas tij jep shpresë për ndryshim në vend.
“Bashkëpunimi ynë lë dyert e hapura për të gjitha forcat politike, shoqërinë civile dhe qytetarët që nuk pajtohen me këtë qeveri”, ka thënë Limaj.
Ai ka theksuar se të gjithë së bashku do të ndërtojnë koalicionin fitues, që sipas tij, do të ofroj ndryshimin e gjendjes aktuale në Republikën e Kosovës.
“Koalicioni i lidhur sot do të quhet koalicion i shpresës në vend. Parimet e kësaj marrëveshje janë publike dhe kush i ka këto parime, i ka edhe dyert e hapura. AAK dhe Nisma ka ndërtuar këtë koalicion duke i ftuar edhe partitë tjera që të na bashkohen”, ka shtuar Limaj.
Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se e ka nderin që të lidh këtë bashkëpunim, siç e ka quajtur ai, të avancuar për të kundërshtuar marrëveshjet antikushtetuese për vendin.
“AAK bashkohet me Nismën në një opsion fitues për të ndryshuar gjendjen në vend. U bëjmë ftesë edhe forcave tjera politike, qytetarëve dhe shoqërisë civile për të ndryshuar këtë gjendje”, theksoi Haradinaj.
Nënshkrimi i këtij koalicioni parazgjedhor mes AAK-së e NISMA-s, përfundimisht çan bllokun opozitar pjesë e së cilës ishte edhe partia më e madhe në vend Lëvizja Vetëvendosje.
/tesheshi.com/