Disa ditë pasi ka dalë në kinema episodi i radhës i kartonëve të animuar “Minions”, një përdorues spanjoll i Facebook, Lucioano Gonzales, ka hedhur dyshime se personazhet qesharake mund të jenë frymëzuar nga një seri eksperimentesh naziste të aplikuara mbi fëmijët hebre.
Ky dyshim i tiji ka bërë menjëherë xhiron e rrjetit, duke bërë krahasimin mes një fotografie të nazistëve dhe një tjetre të Minions. Fotografia ishte e shoqëruar me këtë mesazh: “A e dinit? ‘Minions’ (nga gjermanishtja minion-skllav) ishte emri që u kishin vënë fëmijëve hebre shkencëtarët nazistë, gjatë eksperimenteve të tyre. Fëmijët hebre, viktima të eksperimenteve, vuanin dhe duke qenë se nuk flisnin gjermanisht, të vetmet fjalë që shqiptonin ishin zhurma që i bënin nazistët për të qeshur”.
Pas shumë pak orësh, mesazhi është shpërndarë mbi 40 mijë herë. Fotografia paraqet persona me një kasketë në kokë, e cila u ngjan tepër Minionsave. Në të vërtetë, fotografia e paraqitur nga spanjolli i përket Royal Navy Submarine Museum në Mbretërinë e Bashkuar dhe përshkruan zhytësit gjatë një misioni shpëtimi në shekulin XX./tesheshi.com/