Një film mbi jetën e Kancelares gjermane Angela Merkel është në realizim e sipër. Kompania e filmit në Berlin AVE është duke punuar për nisjen e realizimit të filmit për gruan më të pushtetshme në botë aktualisht. Gazetari she shkrimtari i dy librave për jetën e Kancelares, Dirk Kurbjuweit, ka qenë ai që ka shkruar skenarin e filmit, i cili do të realizohet nga producenti Walid Nakschbandi.
“Ajo është shumë e pushtetshme dhe e njohur në të gjithë botën. Është koha që të shndërrojmë në film një pjesë të jetës së saj, në mënyrë që e gjithë audienca të informohet”,- tha Nakschbandi në një deklaratë për shtyp.
Duke folur për “THR”, ai u shpreh se projekti është krijuar si një bashkëproduksion ndërkombëtar, ndërsa deklaroi se është shumë e pëlqyeshme që pjesa më e madhe e aktorëve të jenë gjermanë dhe roli i Kancelares të interpretohet nga një aktore me këtë kombësi.
“Është shprehur një interesim shumë i madh nga të gjithë, si brenda dhe jashtë vendit, ndaj kurrë nuk i dihet se cila do të jetë interpretuesja”,- ka thënë Nakschbandi.
Kurbjuweit e cilësoi Merkelin si politikanen më të suksesshme dhe mbresëlënëse të kohës në të cilën jetojmë, duke shtuar se e ka ndjekur atë në rrugën e saj politike për një kohë shumë të gjatë, edhe pse në disa raste ka qenë kritik i saj.
AVE është duke kërkuar që të realizojë një film ku kasti, aktorët, regjisorët dhe gjithçka tjetër të jetë ndërkombëtare. Siç e përmendëm, ende nuk dihet asnjë emër i aktores që do të luajë rolin Kancelares. Mendohet që filmi të dalë në kinema gjatë vitit 2017, kohë e cila do të përkojë me zgjedhjet e Gjermanisë. Sipas sondazheve, Merkel, e cila ka qenë në funksionin e Kancelares, mund ti fitojë shumë lehtësisht edhe këto zgjedhje.
AVE ka dhënë detaje në lidhje me projektin, me përjashtim të personazhit që do të jetë në rolin e Merkel dhe do të tregojë si jetën e saj personale, edhe karrierën politike.
Bija e një pastori, e lindur në Gjermaninë Lindore, Merkel punoi si shkencëtare përpara rënies së Murit të Berlinit dhe më pas nisi karrierën e saj politike. Në vitin 2005 ajo arriti të fitonte zgjedhjet dhe të bëhet kështu kancelaria e parë femër në Gjermani./tesheshi.com/