Nga Eva Gjura
Teksa po pija kafen e mëngjesit dëgjova një zë fëmije tek tavolina ngjitur, i cili po përpiqej të shiste diçka. “A doni leukoplast zotëri”, dhe në moment të shfaqet para syve një fëmijë, i cili me një qese në dorë përpiqet t’u mbushë mendjen njerëzve që janë në kafe për të blerë diçka. Duke vijuar rutinën e tij, afrohet edhe pranë tavolinës sime dhe këmbëngul që të më shesë me patjetër produktin që ka në dorë. Para se ti blej leukoplastin, megjithëse nuk me duhet fare, përfitoj nga rasti për ti bërë disa pyetje. Më thotë se e quajnë Leonardo dhe që është 11 vjeç. Djali bukurosh vjen nga fshati Zall Dardhë i Dibrës. Jetonte prej disa vitesh në Tiranë bashkë me dy prindërit, motrën dhe vëllain e tij.
Kushtet e vështira ekonomike e kanë detyruar, që të dalë të shesë leukoplast për të fituar ndonjë lek. Shumë i qetë më thotë se ka raste që fiton deri në 5 mijë lek në ditë, por dhe kur merr 2 mijë apo 3 mijë lek mirë është, sepse dalin sa për të blerë bukën në shtëpi. Unë insistoj për të mësuar më shumë rreth tij, dhe djali bukurosh nuk heziton të më tregojë.
Ai shprehet se prindërit e tij përpiqen shumë për të mbajtur familjen e tyre, ata punojnë ku të dalë, por nuk kanë punë stabël dhe më shumë janë pa punë sesa më punë, ndaj detyrohet që të japë kontributin e tij edhe ai megjithëse është fare i vogël për të punuar.
“Tani që mbaron shkolla e kam më të lehtë se punoj gjithë ditën”,- më tregon djali i vogël, dhe fitimi është edhe më i madh. E pyes se ku do ti kalojë pushimet e verës, pa u menduar gjatë më shprehet këtu në Tiranë, duke shitur leukoplast ose bajame.
Pasi i kam blerë diçka Leonardi largohet nga tavolina ime, por unë mbetem me sy tek ai duke e ndjekur në punën që po bënte, sesa i qetë ju afrohej tavolinave dhe si e pranonte po me aq qetësi çdo përgjigje që i jepnin si të mirë ashtu edhe të keqe, por edhe fyese nga disa njerëz.
Punësimi i të fëmijëve nuk është lajm i ri, për ne shqiptarët pasi me fëmijë edhe më të vegjël sesa Leonardi 11 vjeçar hasim çdo ditë nëpër rrugët dhe lagjet e Tiranës, por ajo që të mërzit më shumë është indiferenca e shtetit për tu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Në Shqipëri ka qindra shoqata, të cilat marrin fonde disa milionëshe për tu ardhur në ndihmë dhe në fund të fundit nuk bëjnë asgjë, por vetëm majmin xhepat e tyre me keq se qeveritarët. Ndërsa qeveritarët tanë kujtohen për ta çdo dy vjet në kohë fushatash si lokale dhe te përgjithshme, por premtimi siç bëhet ashtu edhe harrohet dhe këta fëmijë vazhdojnë të punojnë, të shfrytëzohen dhe fyen e ofendohen, sjellje këto që lënë gjurmë në karakterin e tyre.
Gjurmë, të cilat për të ardhmen e këtij vendi mund të jene me pasoja të mëdha pasi, këta fëmijë që shesin për 1 mijë lek t vjetra në rrugë, janë kontingjenti më i lehtë për tu futur në botën e krimit. Për një grusht para një fëmijë i fustruar mund të bëjë gjithçka, dhe pastaj shteti dhe shoqëria ankohet për rritjen e krimit në vend, kur në fakt jemi vete ne shoqëria dhe shteti që e ushqejmë krimin çdo ditë pa kuptuar me filiza të rinj.
Si Leonardi ka shumë rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera, por askush nuk ka bërë asgjë deri më tani. Nëse pyet qeverinë për numrin e fëmijëve që sot shesin në rrugë, të jep disa të dhëna por as ato vete nuk janë të sigurt sesa fëmijë janë sot që shfrytëzohen në punë.
Statistikat
Sipas statistikave të nxjerra nga vete qeveria mbi 50 mijë fëmijë janë të punësuar. Një pjesë e mirë e tyre që shesin në rrugë janë fëmijë, të cilët vijnë nga familje që kanë migruar nga zonat rurale në ato urbane.
Rreth17% e fëmijëve që ndjekin arsimin e detyrueshëm, punojnë për të siguruar mbijetesën e tyre. Sipas të dhënave të detajuara në studimin e kryer prej Organizatës Ndërkombëtare e Punës në vendin tonë, rezulton se rreth 7.7 për qind e fëmijëve të moshës 5 deri ne 17 vjeç tashmë janë pjesë e forcave të punës, madje në sektorë të vështirë. Ndërkohë që për shumë familje ky fenomen është i pranueshëm, pasi punësimi i fëmijëve është një ndihmesë për t’u mbijetuar kushteve të vështira të jetesës. /tesheshi.com/