Nga Blendi Gashi
Me urdhër të Hashim Thaçit pesë vjetë më parë qeveria e Kosovës e drejtuar atë kohë nga presidentit aktual, ndërmori një aksion në pjesën veriore të vendtin për të futur nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Por Thaçi uk arriti ta çojë misionin deri në fund, pasi mijëra qytetarë serbë bllokuan rrugën, duke parandaluar hyrjen e policëve brenda pjesës veriore.
Pas disa orë konfrontimesh, pjesëtari i njësisë speciale të Kosovës, Enver Zymberi, humbi jetën.
Edhe pesë vjet pas vrasësit e policit Enver Zymberi vazhdojnë të jenë të lirë.
Shteti i Kosovës jo veç që po tregohet i paftë për të kapur vrasësit, por për më tepër njerëzit kryesorë të cilët duhet të japin informata për rastin në fjalë heshtin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni sot nuk e thanë asnjë fjalë për vrasjen e policit Zymberi, edhe pse do të duhej të japin llogari pse ende kryerësit e vrasjes nuk gjenden para drejtësisë për të marrë dënimin që meritojnë.
As njeriu që dha urdhër për aksionin në veri, Hashim Thaçi nuk foli asnjë fjalë për vrasësit. Ai përmes një postimi në Facebook vazhdon ta mbrojë vendimin e tij për ndërhyrjen në veri duke e quajtur aksion të suksesshëm, për më tepër datën e ndërhyrjes në veri, pra 25 korrikun e cilëson ditë të bashkimit territorial të shtetit të Kosovës.
Por, partitë opozitare dhe analistët në vend kanë mendime krejtësisht të kundërta me presidentit, duke e cilësuar se aksioni më shumë i shkaktoi dëm shtetit se përfitime.
Lëvizja Vetëvendosje shprehet tejet e zhgënjyer se edhe pas pesë vjetësh vrasësit e policit Zymberi vazhdojnë të shëtisin lirshëm pa u penguar nga akush.
“Edhe pse kanë kaluar pesë vite nga vrasja e heroit Zymberi, vrasësit e tij ende nuk dihen dhe jetojnë në liri, teksa qeveritarët e Kosovës kanë vazhduar negociatat me Serbinë, duke pranuar koncesione e projekte të dëmshme si ‘Zajednica’. Gjyqi i realizuar nga EULEX me të dyshuarit për këtë krim të Serbisë doli të jetë një dështim dhe zhgënjim”, ka deklaruar VV përmes një kumtese, me ç’rast deputetë të kësaj lëvizje sot bën homazhe tek lapidari i
heroit.
Smajl Latifi nga AAK, thotë se aksioni i 25 korrikut 2011, fatkeqësisht, ka qenë aksion gjysmak dhe i papërfunduar edhe më sot.
Ai pohon se gjendja në veri të Kosovës rrezikon të kthehet në konflikt të ngrirë, pikërisht për shkak të mungesës së veprimit dhe shtrirjes së autoritetit shtetëror të institucioneve të Kosovës.
“Në të vërtetë, strukturat paralele të Serbisë në atë pjesë të Kosovës vetëm janë sistemuar brenda disa institucioneve të Kosovës, por që funksionojnë në mënyrë paralele dhe nuk respektojnë zinxhirin komandues. Në një situatë të tillë, rreziku është shumë i lartë që këto struktura paralele, të veshura tash edhe me disa uniforma të institucioneve të Kosovës, të ndërmarrin veprime dhe aksione për të cilat shteti i Kosovës nuk ka asnjë hapësirë vepruese. Kjo do të çonte në ndarje formale të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe kështu të themelohen institucione të veçanta të sigurisë në atë pjesë. E tërë kjo situatë mund të përshkruhet me shembullin e projektit të kolonizimit në ‘Luginën e Diellit’, ku shteti i Kosovës ka mbetur plotësisht i paaftë për të vepruar, derisa strukturat paralele brenda institucioneve të Kosovës kanë marrë pjesë, bëjnë sigurinë për atë projekt kolonizues. Fatkeqësisht, gjendja në këtë pjesë të Kosovës jo vetëm se nuk ka ndryshuar për mirë, por ajo është keqësuar edhe më shumë”, thotë Latifi, për tesheshi.com.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, njëherit qytetar nga Mitrovica aksionin e ndërmarrë pesë vjet më parë nga qeveria “Thaçi” e quan të dëmshëm për vendin.
“Dëm tepër i madh është shkaktuar nga aksioni sepse ka qenë i pamenduar mirë, i pa përgatitur dhe aventurë fëmijërore. Pesë vjet më pas asgjë nuk ka ndryshuar për të mire në veri, por vetëm për të keq. Barrikadat që janë vendosë atëherë akoma nuk janë larguar”, ka thënë Spahiu, për tesheshi.com.