Kreshnik Spahiu, nën euforinë e një të ashtuquajturi analist, i superftuar në studio televizive, gjë që me ç’duket e ka bërë që të ndihet ekspert pothuajse në të gjithë fushat, duke perifrazuar ironinë e Konicës me këtë sëmundje shqiptare – dhe “përpos ca të tjerave”, i ka dedikuar një status Xhamisë së Madhe të Tiranës, në pritje për t’u inauguruar, duke ngacmuar atë që mund të përbëjë një precedent nesër, tashmë që kjo xhami do jetë funksionale – faljen ose jo në shesh.
Spahiu, me padijen e vet ndaj jetës islame, por me kurajon tipike shqiptare për t’u ndjerë i ditur aty ku s’është i tillë, mendon se koha kur muslimanët faleshin në jashtë, pra në rrugë e sheshe, tashmë ka marrë fund.
“Me Xhaminë e Madhe, pas 34 vitesh besimtarët musliman barazohen me ata të krishterë që kanë katedralet katolike dhe othodokse në mes Tiranës.
Pasi u pengua nga disa qeveri, ata s’do falen më rrugve apo në shesh por brenda kultit të tyre.
Zoti ja u bëfté mbarë. AMIN”, shkruan ai.
Pa dyshim, Spahiu niset nga qëllimi i mirë që e thotë këtë, por që nesër mund të ketë efekt negativ. Pse? Sepse as kjo xhami, sado e madhe, nuk mundet që në dy Bajramet vjetore të strehojë gjithë atë masë besimtarësh që sot, të tubuar në Sheshin Skënderbej, dy herë në vit, konsiderohet si tubimi më i madh në Shqipëri, pavarësisht motivit, duke konkuruar vetëm me tubimet politike të viteve ‘91-‘92. Kështu, Xhamia e Madhe mund ta detyrojë shtetin që nesër të mos japë leje për falje në shesh, në pretendimin e mundësisë që të jep xhamia e re te Namazgjaja. E kësisoj të lindë një përplasje apo fërkim mes shtetit dhe komunitetit të besimtarëve.
Për dijeninë e Spahiut dhe të opinionit mbarë: falja jashtë e një besimtari është po aq e natyrshme sa falja brenda. Pra, në ditë feste(Bajramesh) a të premteve(Xhumaje), apo dhe ditë të zakonshme, varësisht rrethanave, nëse nuk ka vend brenda në xhami, falja jashtë, e cila mund të rastis të jetë rrugë a shesh, është diçka tejet normale. Kjo edhe nëse është vapë, ftohtë, bie shi apo borë. Po ashtu, sipas traditës islame, Bajramet falen në sheshe e jo në xhami, ndaj dhe qytetet kryesore shqiptare kanë patur namazgja – pra shesh për faljen e Bajrameve, falje masive e pandërlidhur me ndonjë xhami të caktuar, ku kupolë apo strehë është vetë qielli. /tesheshi.com/