Komisioni Evropian ka publikuar një propozim për Aktin për Sigurinë Kibernetike, sipas të cilit prodhuesit e pajisjeve inteligjente do të duhet të marrin parasysh rezistencën e këtyre pajisjeve dhe të eliminojnë dobësitë ndaj sulmeve kibernetike gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor.
Sipas këtij propozimi, prodhuesit e pajisjeve inteligjente të lidhura në internet, si laptopë, telefona, pajisje shtëpiake, pajisje për asistencë virtuale, makina, lodra, do të duhet të analizojnë rrezikun e sulmeve kibernetike dhe të eliminojnë dobësitë.
Akti i Rezistencës Kibernetike urdhëron që produktet me elemente dixhitale mund të vihen në dispozicion në treg vetëm nëse plotësojnë kërkesat specifike thelbësore të sigurisë.
Kompanitë mund të gjobiten deri në 15 milionë euro ose 2.5 për qind të xhiros nëse nuk e bëjnë këtë.
Dëmi global vlerësohet në 5,500 miliardë euro
Komisioni thekson se çdo 11 sekonda një organizatë në botë është subjekt i një sulmi shantazhi dhe dëmi global i shkaktuar nga krimi kibernetik në vitin 2021 vlerësohet në 5500 miliardë euro. Kostoja vjetore e shkeljeve të të dhënave vlerësohet të jetë të paktën 10 miliardë euro, ndërsa dëmi vjetor i shkaktuar nga përpjekjet me qëllim të keq për të ndërprerë trafikun e internetit vlerësohet të paktën 65 miliardë euro.
Me rregullat e reja, përgjegjësia do të kalojë tek prodhuesit, të cilët do të duhet të kujdesen që produktet me elemente dixhitale të vëna në dispozicion në tregun e BE-së të jenë në përputhje me kërkesat e sigurisë.
“Ne meritojmë që produktet që blejmë në tregun e vetëm të ushqejnë siguri. Ashtu si ne mund të përdorim me besim një lodër ose frigorifer të shënuar me CE, falë Aktit të Rezistencës Kibernetike, artikujt dhe programet e lidhura që blejmë do të jenë në përputhje me masat mbrojtëse të forta të sigurisë kibernetike. Ai do t’u japë përgjegjësi atyre që duhet ta mbajnë atë, përkatësisht subjekteve që vendosin produkte në treg“, tha Margrethe Vestager, Zëvendës Presidente Ekzekutive e Komisionit. /tesheshi.com/