Në Rusi, një film që tregon ushtarët e ushtrisë së Kuqe përballë një numri shumë më të madh pushtuesish nazistë që luftojnë heroikisht, është bërë pjesë e fushatës së Kremlinit për të rimëkëmbur krenarinë ruse.
Televizioni shtetëror shfaqi presidentin rus, Vladimir Putin duke parë filmin në fjalë, së bashku me presidentin e Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, në kryeqytetin e vendit aziatiko-qendror, Astana.
Mesazhi i qartë ishte se Rusia dhe Kazakistani po mbajnë gjallë lidhjet e miqësisë së epokës sovjetike, pavarësisht tensioneve në pjesë të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Por vetë filmi në vetvete, “28 burrat e Panfilovit”, bazohet në një mit komunist.
Sipas mitologjisë sovjetike, 28 ushtarë nga divizioni i pushkatarëve 316 të Ushtrisë së Kuqe, shumica rekrutë nga republikat sovjetike kazake dhe kirgize, qëndruan të patundur përballë një numri të madh ushtarësh të Hitlerit që po avanconin në linjën e frontit.
Burrat që ishin pjesë e një divizioni më të madh që drejtohej nga gjeneral majori, Ivan Panfilov, u vranë të gjithë, por shkatërruan 18 tanke gjermanë përpara se të binin në betejë.
Të 28 ushtarët hynë në histori- pas dekorimit pas vdekjes si heronj të Bashkimit Sovjetik – dhe fëmijët sovjetikë mësonin për betejën e tyre të fundit në shkollë. E megjithatë historianët thonë se historia në fjalë nuk është e vërtetë.
Një hetim zyrtar sovjetik për këtë ngjarje, përpiluar në vitin 1948, doli në përfundimin se historia ishte “shpikje” e një gazetari të botimit të Ushtrisë së Kuqe, “Krasnaya Zvezda”. Rrëfimi i gazetarit ishin në më të mirin e rasteve, i ekzagjeruar, ndërsa disa nga burrat kishin mbijetuar. Rezultatet e hetimit ishin mbajtur sekret.
Por, tema e historisë përkon me pikëpamjen e Kremlinit dhe të shtetit partiak që pjesërisht kanë sponsorizuar filmin e ri.
Kremlini promovon idenë e Luftës së Dytë Botërore si një fitore heroike që bashkoi shtetin sovjetik kundër fashizmit – dhe që ende bashkon Rusinë sot kundër një kërcënimi të ngjashëm që ata thonë se është hapur në Ukrainë.
BRSS pati humbjet më të thella gjatë luftës –më shumë se 20 milionë civilë dhe ushtarakë – edhe pse akademikët e kanë vënë në diskutim bilancin e saktë.
Filmi rrëfen për kazakët, rusët dhe rusisht-folës të tjerë që qëndrojnë krah për krah për të mbrojtur tokën mëmë. Historia u bën jehonë koncepteve të politikës së jashtme: një “botë ruse” me qendër në Moskë e bashkuar nga gjuha e përbashkët.
Kur në qershor, drejtori i Arkivave shtetërore ruse, Sergei Mironenko, duke cituar dokumente historike tha se historia në fakt ishte një mit, ai mori kritika të ashpra nga ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky.
Mironenko u hoq nga kreu i Arkivave pak muaj më pas.
Në shkurt 2013, presidenti Putin urdhëroi hartimin e një teksti të vetëm historik për shkollat, që të ofronte një narrativë të standardizuar. Ndërsa një kanal i ri shtetëror, TV Historia u lançua gjatë këtij viti.
Mbështetësit e Putinit dhe të përpjekjes së tij për një histori kanonike, thonë se ajo është e nevojshme në mënyrë që të mbahet i bashkuar një shtet kaq i madh. Megjithatë kritikët e shohin atë si një përpjekje për të imponuar versionin zyrtar për të shkuarën.
Putin dhe zyrtarë të tjerë në mënyrë të përsëritur kanë folur për nevojën e përballjes me “falsifikimin e historisë” apo “rishkrimin e historisë”. Ata kundërshtojnë interpretimet e Luftës së Dytë Botërore apo episode të tjera të historisë sovjetike që devijojnë nga narrativa e miratuar zyrtare.
Ministri i Kulturës, Medinsky, mbrojti historinë e 28 burrave të Panfilovit, duke thënë “edhe nëse kjo histori është e shpikur nga fillimi deri në fund, edhe nëse nuk ka pasur fare Panfilov, nëse nuk ka pasur hiçgjë, kjo është një legjendë e shenjtë të cilës nuk duhet t’i ndërhyhet. Njerëzit që bëjnë këtë janë plehra”.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët rusë sugjerojnë se disa kapituj të historisë ruse janë të shenjta. Në janar 2014, transmetuesi i pavarur liberal Dozhd TV u sulmua dhe u akuzua për njollosje të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore pasi kishte hedhur hipotezën nëse banorët e Leningradit të luftës mund të ishin shpëtuar duke e dorëzuar qytetin tek forcat naziste.
Debati publik për historinë e Luftës së Dytë Botërore është formësuar edhe nga një ligj kontrovers i vitit 2014 kundër rehabilitimit të nazizmit. Sipas këtij ligji, Vladimir Luzgin, një bloger nga rajoni Perm në Urale, u gjobit me 200 mijë rubla se kishte ripostuar një artikull për luftën në një rrjet social rus, VK.
Gjykata vendosi se Luzgin postoi artikullin me informacione të falsifikuara për një pushtim të përbashkët të Polonisë nga gjermanët dhe forcat sovjetike më 1 shtator 1939.
Sipas prokurorëve, Luzgin ishte në dijeni se teksti mund të nxiste tek shumë njerëz “bindjen e patundur për veprimet negative të BRSS” në luftë.
Gjykata, tha se Luzgin kishte falsifikuar historinë duke deklaruar se “komunistët dhe Gjermania së bashku sulmuan Poloninë, duke nisur luftën e dytë botërore apo me fjalë të tjera se komunizmi dhe nazizmi bashkëpunuan me njëri-tjetrin”.
Në shtator, edhe gjykata e lartë e Rusisë vendosi se masa ndëshkimore për Luzginin ishte e justifikuar.
Nazistët gjermanë dhe BRSS nënshkruan një pakt mos-sulmimi në gusht 1939, paktin Molotov-Ribbentrop. Në një protokoll sekret, ata binin dakord që të ndanin Poloninë mes tyre.
Në një incident tjetër, vitin e kaluar, autoritetet në rajonin Sverdlovsk ndaluan veprat e dy historianëve britanikë- Antony Beevor dhe John Keegan – duke thënë se ato ishin të mbushura me propagandë naziste. E përditshmja Vedomosti e përshkroi urdhërimin për ndalimin e librave në bibliotekat publike “si të pakuptimtë nga fillimi deri në fund”.
Promovuar nga shteti dhe i inspektuar personalisht nga Putin, “28 burrat e Panfilovit” mund të rezultojë një hit në kinema kur të dalë në muajin nëntor. Shumë rusë mund të mos e dinë sesi shteti zbukuroi përrallën e burrave të Panfilovit – por shumë të tjerë as që duan t’ia dinë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/