Nga Blendi Gashi
Arrestimi nga serbët i komandantit të policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, vazhdon të mbetet temë diskutimi në opinionin publik kosovar.
Për këtë çështje, në komisionin kuvendar për siguri dje raportoi zv.drejtori i policisë, Naim Rexha.
Ky i fundit u përballë me pyetje tejet sfiduese nga deputetët, ku padyshim më kryesorja u shtrua nga ajo e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu e cila kërkoi nga Rexha që të tregojë se a i posedon policia e Kosovës listat e atyre që kanë kryer krime, serbëve pra?
Dhe Rexha pranoi se nuk i kanë këto lista.
“Policia e Kosovës nuk ka lista sa u përket kriminelëve serbë që kanë bërë krime në Kosovë. Kjo listë është ekskluzivisht pjesë e EULEX-it”, konfirmoi Rexha.
Ja ç’thonë ekspertët e sigurisë
Ekspertët e sigurisë në vend, thonë se institucionet e shtetit duhet të ndërtojnë një listë me emrat e kriminelëve në mënyrë që as urdhërdhënësit dhe as kryesit e vrasjeve të mos hynë në territorin kosovar.
Fadil Kajtazi, thotë se institucionet përgjegjëse duhet të kërkojnë nga EULEX-i listën dhe. në rast se nuk mund t’i marrin ato duhet të krijojnë vetë.
Kajtazi e quan skandal që edhe 17 vjet pas luftës policia ende nuk i ka këto lista.
“Institucionet e Kosovës duhet të hartojnë një listë të personave të dyshuar për krime të kryera në vendin tonë dhe në momentin që tentojnë të hyjnë në territorin e shtetit duhet të ndalen për t’u hetuar për krimet eventuale. Është skandal, pasi së pari është detyrim moral i sistemit të drejtësisë së Kosovës për të ndriçuar vrasjet e civilëve dhe dhunimet, pastaj dëmtimin e pronës private, kidnapimet etj, që kanë qenë pjesë e veprimtarisë sistematike të forcave serbe. Së dyti është edhe obligim ligjor pasi këto vepra të pandriçuara po shkaktojnë edhe incidente ndëretnike dhe probleme politike. Dhe së treti personat e pagjetur. Dënimi eventual i kriminelëve ndoshta do të ndriçonte edhe fatin e një pjese të personave të zhdukur gjatë luftës”, thotë Kajtazi, për tesheshi.com.
Eksperti Kajtazi thotë se është në dijeni se që nga koha e UNMIK-ut ekziston një listë me emrat e serbëve që kanë kryer krime në Kosovë; por shton se duhet të hartohet një listë edhe për strukturat politike të cilat kanë marrë vendime politike dhe kanë përkrahur aksionet në terren; si dhe për pjestarët e Kishës Ortodokse serbe, që sipas tij kanë qenë pjesë e inspirimit shpirtërorëpër aksionet e forcave serbe kundër popullates civile shqiptare, objekteve fetare dhe trashëgimisë kulturore.
“Ka dokumentacion të mjaftueshëm që dokumenton përfshirjen e Kishës Ortodokse serbe në krimet në hapësirat e ish-Jugosllavisë por me theks në Kosovë”, tha eksperti Kajtazi, për tesheshi.com.
Eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se në çdo shtet të pavarur i cili ka kaluar nëpër luftëra, siç shteti i Kosovës, gjithësesi se duhet bërë analiza të thella rreth luftës, sidomos kur dihet që ende ka njerëz të pagjetur dhe të humbur.
Tërnava thotë se nëse Kosova do të bënte padi ndaj Serbisë, komandatëve e paramilitarëve serbë, që tanimë duhej të ishin në bankën e të akuzuarve, ndërsa shumë kriminelë të tjerë serbë nuk do të mund të hynin në Kosovë.
“I tërë aparati shtetërorë (gjyqësia, prokuroria, policia, AKI-ja si dhe tjera organe), duhet t’i kenë të gjitha listat dhe regjistrat e shumta të njerëzve të humbur, të vrarë dhe të dëmeve të shkaktuara dhe të bëjnë padi ndaj Serbisë dhe komandantëve që kanë udhëhequr me njësitë paramilitare, policore, ushtarake dhe ndaj individëve të këtyre njësive apo edhe qytetarëve serb që kan kryerë vepra të ngjajshme prej vitit 1998 e deri në mbarimin e luftës në vitin 1999, si dhe për krimet tjera ekonomike, si; djegia e shtëpive, rrënimet e monumenteve historike si dhe atyre fetare etj.
Organet në fjalë është dashur që menjëherë pas luftës e sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 2008, të ngritin padi ndaj Serbisë dhe të padisin individët për gjenocidin që kanë ushtruar ndaj popullit të Kosovës dhe në këtë mënyrë kriminelët serb nuk do të mund të hynin lirshëm në territorin e shtetin tonë”, thotë Tërnava, për tesheshi.com.
Ndryshe, hyrja në Kosovë e ish-gjeneralit të Ushtrisë jugosllave dhe serbe, Milovan Bojoviç në prill të këtij viti, që u identifikua jo nga policia e shtetit, por nga banorët e Llapit, në të cilin rajon në luftën e fundit u vranë 488 civilë të pafajshëm, tregon më së miri se kriminelët serbë hyjnë e dalin në shtetin tonë si në “bahçe të babës”. /tesheshi.com/