Ministri i sapopropozuar i Drejtësisë, është një jurist që ka hyrë në politikë, por që nuk ka kaluar asnjë ditë në sistemin gjyqësor.
Një dibran nga origjina e familjes, tipik nga ata finokët e lindur për të qenë dikushi, por i rritur në Lezhë, Ylli Manjani u njoh me qarqet politike kur punonte si jurist i lartë në strukturën e prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Në kohën e ambasadorit Osmo Liponen kur OSBE hartoi të famshmen reformë zgjedhore “bipartizane”, Ylli Manjani ra në sy të Fatos Nano si një jurist “europian” me pasaportë shqiptare gjatë procesit të negociatave dhe hartimit të draftit.
Kryeministri i atëhershëm, pikasi talentin e lezhjanit të kultivuar dhe e mori menjëherë në stafin e tij ku e emëroi Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
Pikërisht këtu Manjani hyri në politikë, por siç duket nuk do të mund të qëndronte dot në një vend. Pas pak kohësh u përplas me Fatos Nanon dhe u largua nga ai, duke shkruar një artikull mjaft goditës ndaj njeriut të afërt të Nanos: Emin Barçit.
Tek ai shkrim, Manjani spikati edhe si një njeri i fjalës së kuruar, ngaqë paralelisht bënte dhe publicistin e rafinuar, therrës e fjalëspec, e siç duket nga ky aspekt u thirr menjëherë prej Edi Ramës në stafin e tij, kur ky i fundit mori drejtimin e Partisë Socialiste.
Tek ekipi i Ramës, Manjani ishte një nga figurat më kryesore, që krahas me Artan Lamen e xhinsin e tyre gjysëm politikanë e gjysëm intelektualë, duket se do të ishin njerëzit bazë të vendimarrjes kur PS-ja do të vinte në pushtet.
Dhe me këtë logjikë, Rama e dërgoi Ylli Manjanin në vendin e origjinës, në Dibër, si kandidat për deputet, ama duke e lënë të tretin në listë dhe duke i dhënë në patronazh rrethin e Bulqizës ngaqë aty kishte dhe lidhjet e familjes së tij.
Por në zgjedhjet e vitit 2009, PS-ja përveç humbjes në rang kombëtar, në Dibër mori vetëm dy parlamentarë: Sadri Abazin dhe Qemal Minxhozin. Manjani kërkoi që të ishte ai deputet, me pretendimin e grumbullimit të numrit më të madh të votave për PS-së në zonën e Bulqizës, duke i kërkuar kryetarit të ndërhyjë. Por Edi Rama nuk lëvizi.
Kjo bëri që Manjani të jepte shenja rebelimi, sidomos kur e pagëzonte asamblenë socialiste si një OJQ, ku nuk ishte e vështirë të nuhatej xhelozia e tij ndaj mjaftistëve në parti, të cilët po ia rrëmbenin zemrën politike Ramës.
Dhe pas një angazhimi fluid me LMN-në (Lëvizjen për Mendimin Ndryshe), dalëngadalë ai nisi të dalë nga “vatha rozë”, duke u angazhuar sërish me shkrime të ithëta, kësaj herë me shënjestër edhe Ramën përveç Berishës, të cilin e kish me shumë merak në kritikat e tij të vazhdueshme për mënyrën se si udhëhiqte e bënte politikë.
Dhe i mbetur pa stacion politik, Ylli Manjani, u “pikas” nga Ilir Meta, i cili kishte nevojë për “gjak të majtë” pas largimit të Pëllumb Xhufit, Fatos Klosit, Ndre Legisit e Sokol Axhemit, si kundërshtarë të bashkimit të LSI-së me PS-në.
Ilir Meta e bëri Manjanin pjesë të kryesisë dhe juristin bazë të tij në KQZ por edhe më lart. Ishte në gjirin e LSI-së kur Manjani u “lëshua pa duar” duke krijuar profilin e një politikani agresiv, ku nga studio televizive të Frangajt sulmonte Ramën si njeriu që po kthen djemtë e bllokut dhe si një rrezik që po rikthen kooperativat bujqësore.
Megjithatë, stimuli më i madh që mori nga Meta ishte posti i zv.ministrit të Transporteve, post që e mban ende, por luajaliteti ndaj kryetarit të tretë ka qenë më i zjarrtë, siç duket nga frika se po i humbet çka fituar, siç ka ndodhur me dy kryetarët e parë.
Edhe në dy vjet qeverisjeje me PS-në, Manjani nuk kërkoi shumë, megjithëse ishte natyrshëm një “i rikthyer në bazë”.
Qëndroi në postin e vogël nën Edmond Haxhinaston me shpresën se ndoshta një ditë do të gjendet një zyrë e lartë edhe për të. Për të cilin mendon ai, Ilir Meta, i cili për më shumë se dy muaj i bëri presion Edi Ramës për ndryshime në qeveri, deri ditën e sotme kur kreu rrokadën, me kushtin që Manjani nuk do të jetë si Naço, një “outsider” në reformën në drejtësi.
Manjani i ka dërguar Venecias një draft të hatuar nga ai ku rrëzon thuajse të gjithë reformën e “Xhafës”. Si për të treguar se “nuk do të jetë spektator” por do të kërkojë që LSI të ketë “nenet” e saj në draftin e madh që emëron prokurorë e heq gjyqtarë… /tesheshi.com/