Nga Luljeta Progni
Më 12 dhjetor 1990, pas 46 vitesh sistem totalitar komunist, në Shqipëri u themelua Partia Demokratike. PD erdhi si një antitezë e partisë së mëparshme komuniste, Partisë së Punës së Shqipërisë.
Por në historinë 25-vjeçare, drejtuesit e kësaj partie nuk kanë mundur të kapërcejnë mentalitetin dhe modelin politik të organizimit dhe drejtimit të PPSH-së. PD-ja ka propaganduar gjithnjë parimet e demokracisë, lirisë individuale, konkurencës së lirë, por brenda radhëve të saj këto parime nuk kanë gjetur asnjëherë zbatim.
Megjithëse formalisht PD-ja ka patur dhe ka një sërë organesh drejtuese, përfshi Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, ku herë pas here ka patur procese formale zgjedhjesh përmes votimit apo konkurimit, karriera në PD nuk është vendosur nga konkurrenca apo aftësitë e individëve. Kriter për t’u ngritur ka qenë vetëm marrëdhënia dhe qëndrimi i secilit me kreun e partisë, Sali Berishën.
Që në fillimet e PD-së, kur disa prej figurave kryesore në krijimin dhe konsolidimin e saj, që tentuan të konkurronin autoritetin dhe vendimmarrjen e Zotit Berisha, u ndeshën me përjshtimin e tyre nga PD-ja. Ky ka qënë fati, herët a vonë, i çdo individi që ka sfiduar apo nuk ka qenë dakord me autoritetin e Berishës.
Historia e zgjedhjeve brenda PD-së me Sali Berishën
Sali Berisha u zgjodh në krye të Partisë Demokratike në një situatë mjaft komplekse, me personazhe gjithashtu komplekse. Në 14 shkurt të vitit 1991, kur kishin kaluar vetëm tre muaj prej themelimit, Sali Berisha u zgjodh kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Ai u zgjodh pasi u shkarkua nga kjo detyrë, Azem Hajdari, një figurë emblematike e ngjarjeve të atyre ditëve, pasi ishte në krye të protestave studentore për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.
Sali Berisha, një prej intelektualëve që iu bashkua shpejt lëvizjes, u kthye në një prej personazheve më të rëndësishme të zhvillimeve politike të këtij momenti. Referuar dokumentave rreth ngjarjeve të atyre ditëve, por edhe rrëfimeve të protagonistëve, më poshtë renditen ngjarjet të cilat kulmojnë me zgjedhjen e Berishës në krye të Komisionit Nismëtar të PD-së.
Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike, 13 dhjetor 1990
Një bisedë rreth dy orë me Arben Imamin, pasditen e 13 dhjetorit, u shndërrua në garanci për Sali Berishën, në një situatë kur nuk ishte qartësuar mirë rruga dhe personi që do të ulej në karrigen e kryetarit. Në atë bisedë, Berisha kishte shfaqur hapur ambicien e tij për t’u bërë personazh kryesor në parti. Vetë Imami dëshmon për këtë:
“Në pasditen e 13 dhjetorit kam qëndruar për rreth dy orë në një bisedë më Sali Berishën, te menca e vjetër, diku më sipër. Kemi biseduar gjatë dhe më ka sqaruar pozicionin e tij. Më ka thënë, që donte të kontribuonte për këtë vend, për të mos lënë të dështonte Lëvizjen Studentore. Siç m’i tha, i besova. Fakti është, se ashtu dolën edhe pas shumë vitesh. E dyta, ky është formulimi i sotëm që i bëj asaj bisede. Mandej, duhet theksuar qartë se në atë kohë nuk kishte shumë njerëz që afroheshin për të kontribuuar. Ne duhet të ishim sa më shumë. Ishte kohë e vështirë dhe nuk ishte aq e lehtë të bindje dikë të vinte të organizohej në një parti kundër PPSH-së me atë histori mizore 50-vjeçare të saj. Ende nuk kishte ardhur momenti, që njerëzit të kishin garanci se sistemi po merrte fund”, thotë Imami.
Më garancinë se kishte mbështetjen e Hajdarit, por tashmë edhe të Imamit, Sali Berisha u shfaq në krah të të dyve, në podiumin që drejtoi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Nismëtar të PD-së.
Mbledhja e parë e këtij komisioni, u zhvillua po atë natë, në darkë, në 13 dhjetor. Në atë mbledhje u zgjodh kryetari i Komisionit Nismëtar, Azem Hajdari. U vendos ta mbante këtë post deri në një moment të dytë, kur do të zhvilloheshin zgjedhjet brenda partisë.
Shkarkimi i Hajdarit dhe zgjedhja e Aleksandër Meksit në krye të PD-së
Pak muaj më pas, Azem Hajdari u shkarkua nga posti i drejtuesit të komisionit nismëtar të PD-së. Të pranishëm në ato zhvillime, protagonistë të kohës, e vlerësojnë nga këndvështrime të ndryshme shkarkimin e Azem Hajdarit. Arben Imami, i cili në atë kohë ishte më afër se të tjerët me Azemin, e sheh si një goditje ndaj tij.
“Hëm… ajo që mund të them është se u provokua kjo mbledhje në një orar të pazakontë. Kryetar u zgjodh Leka Meksi. Hjithnjë kam shkuar mirë me të, nuk kisha asgjë kundër tij.
Por nuk ishte çështje personi, ishte një goditje e beftë. Azemi doli, iu thashë lamtumirë e dola edhe unë.
Pak a shumë se ne po ikim, ne e bëmë punën tonë, ju vazhdoni dhe urime në rrugën tuaj. Dhe u larguam. Azemi ishte udhëheqësi i lëvizjes, unë isha krucial për themelimin e partisë (në atë çast, kjo dihej më mirë se sot)” thotë Imami.
Ndërsa Eduard Selami e rrëfen kështu situatën kur po planifikohej shkarkimi i Azem Hajdarit:
“Azemi nuk është se kishte ndonjë ambicie të madhe për të qenë kryetar. Ai ishte modest dhe partia drejtohej me kolegjialitet. Në këto kushte, u pa e arsyeshme që të kryenim më shpejt zgjedhje, me qëllim që të forcohej partia. Pra, vendosëm që në krye të komsionit nismëtar të ishte Leka Meksi. Pasi u zgjodh ai, pati një farë pakënaqësie, që gjithsesi nuk kishte të bënte me kundërshtinë ndaj Lekës apo ndonjë individi tjetër, por ishte fjala vetëm për mënyrën e organizimit të partisë” thotë Selami.
Largimi i Meksit dhe zgjedhja e Berishës
Po cili kishte qënë roli i Berishës në këtë moment? Sipas Arben Demetit, më 12 shkurt kur po punohej për aktivin, nga mesdita ishte shfaqur Sali Berisha tha ‘Dëgjoni këtu. E kam menduar mirë këtë punë. Dje kemi bërë gabim të rëndë, duhet ta kthejmë patjetër mbrapsht. Azemi ka këto e ato merita, duhet ta vlerësojmë etj.’
Ne iu përgjigjëm me vendosmëri se këtë problem e kishim mbyllur. Pasi debatuam një copë herë Saliu na befasoi me tezën “Atëherë t’i nënshtrohemi të gjithë votimit. T’i kërkojmë aktivit të votojë për të gjithë ne”. Ne kundërshtuam. Saliu me zë të lartë tha: “Pse keni frikë nga vota zotërinj?! Ne jemi të gjithë jolegjitimë, të vetëcaktuar. Vota e aktivit duhet të na legjitimojë, të na japë të drejtën për të drejtuar partinë”.
U përpoqëm të sqarojmë, se nuk kishim aspak frikë nga vota, por aktivi iashte thirrur për të tjera probleme dhe nuk duhet të devijonim nga rendi i ditës. Atëherë Saliu dhe Azemi kërcënuan se do të shtrojnë në aktiv të gjithë problematikën, dhe kjo do të sillte një situatë të papëlqyeshme dhe do të ishte shkatërrimtare për PD-në. Hoqëm dorë dhe u arrit kompromisi.
Sipas këtij kompromisi, Akleksandër Meksi nuk do të ishte më kryetar i Komisionit Nismëtar dhe ky ishte qëllimi kryesor i Berishës. Komisioni do t’i kërkonte aktivit votëbesimin për të kaluar në komisionin drejtues me 19 persona. Votimi do të ishte i fshehtë, me listë me shumë kandidatura” shkruan Arben Demeti në gazeta “Aleanca”, 13.12. 1994)
Aktivi i parë kombëtar i PD-së
Aktivi kombëtar i Partisë Demokratike u mblodh më 13 shkurt 1991, në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës. Një ditë më parë ishte arritur kompromisi. Azem Hajdari konsiderohej i shkarkuar si kryetar i Komisionit Nismëtar, por kjo nuk do t’i bëhej e ditur aktivit. Aktivi do të procedonte me rendin e ditës së paracaktuar dhe si pikë e fundit do të ishte votëbesimi. Aktivi drejtohej nga Eduard Selami si sekretar i Komisionit Nismëtar. Ishin zgjedhur 25 kandidatura, ku përfshiheshin të gjithë anëtarët e mbetur të komisonit nismëtar. U përfshinë në listë edhe intelektualë të aktivizuar në lëvizje ato dy muaj.
Ishte vendosur me konsensus që në aktiv të mos debatohej, por Azem Hajdari e nisi pikërisht me debat mbledhjen. Ai foli pas raporteve zyrtare, që mbaheshin nga drejtues të tjerë të Komisionit Nismëtar. Pas shumë debatesh, në ditëne dytë të aktivit kombëtar, Sali Berisha u zgjodh kryetar i përkohshëm i Komisionit Nismëtar të PD.
Përjashtimi i mocionistëve
Pas humbjes në zgjedhjet e 31 marsit 1991, PD nisi riorganizimine saj për tu finalizuar në shtator të atij viti me kuvendin e parë kombëtar të saj. Dy ishin kandidaturat për kryetar të PD, Sali Berisha dhe Neritan Ceka. Kuvendi i parë kombëtar zgjodhi kryetarin, Këshillin Kombëtar dhe Kryesinë e partisë. Në garën për kryetarin e partisë, Sali Berisha mori 449 vota, përkundrejt Neritan Cekës, i cili mori 91 vota dhe Azem Hajdarit, i cili mori 7 vota.
Në votim morën pjesë 561 delegatë të Kuvendit dhe numri i votave të vlefshme ishte 547.
Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet e 22 marsit. Sali Berisha u zgjodh president, ndërsa kryeministër u zgjodh Aleksandër Meksi.
Pas zgjedhjes në postin e presidentit, Berisha i la vendin e kryetarit të PD-së, Eduard Selamit, i cili u zgjodh pas një gare përballë Arben Imamit në Kuvendin Kombëtar të atij viti. Kundërshtarët nuk u zgjodhën as në forumet drejtuese të PD-së.
Ndërkohë ishte krijuar grupi i kundërshtarëve të Berishës, Mocionistët ku bënin pjesë disa prej themeluesve kryesorë të PD-së si Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti etj. Në verën e vitit 1992, pas humbjes së PD-së në zgjedhjet lokale, ata paraqiten një mocion për debat ku renditeshin kritika të forta për drejtimin e partisë dhe qeverisë.
Me paraqitjen e mocionit ata e kishin zgjedhur pozicionin e tyre kundër Berishës dhe përjashtimi nuk do të vononte. Ishte një ndarje e thellë mes themeluesve të PD-së.
Në konferencën e 13 gushtit 1992, përmes një metotodë antidemokratike u përjashtuan nga PD-ja disa prej themeluesve kryesore të kësaj partie.
Përjashtimi i Eduard Selamit
Tre vite më vonë, në krye të Partisë Demokratike, Eduard Selami drejtoi fushatën për miratimin e projekt/Kushtetutës së re të Shqipërisë në vitin 1995. Kushtetuta u votua në popull dhe nuk u miratua.
Më shumë se sa një votë kundër për Kushtetutën, ishte një votë kundër qeverisjes së PD-së. Kishin kaluar tre vite në pushtet dhe Berisha ndoqi një politikë të asimilimit të kundërshtarit politik, PS por edhe të kundërshtarëv brenda kësaj partie.
Fatos Nano, kryetar i PS-së ishte në burg prej vitit 1993. Opinioni brenda por edhe ai ndërkombëtar nuk dukej të ishte në një mendje me Berishën në këtë mënyrë drejtimi të shtetit.
Ky është edhe moment kur raportet midis Berishës dhe Selamit u përkeqësuan. Eduard Selami u etiketua nga presidenti si humbës i betejës për miratimin e kushtetutës.
Eduard Selami ishte një prej themeluesve kryesor të PD-së. Si i tillë ai gëzonte mbështetje në elektoratin e kësaj partie. Megjithë raportet e acaruara me Brishën, ai shfaqej nëpër degë te PD-së si një drejtues i rëndësishëm i kësaj partie.
Në shumë prej tyre ai kishte ende mbështetje, por sidoqoftë ai nuk mundi t’i mbijetojë politikisht vendimit të Berishës për ta përjashtuar.
Pas një periudhë disamujore shkëmbimi replikash në media ndërmjeti Selamit dhe Berishës, por dhe drejteusve të tjerë të PD-së të cilët ndinin rigorozisht qëndrimin e Berishës, Selami u përjashtua.
Në mars 1995 në një konferencë të jashtëzakonshme Kombëtare të PD, u shkarkua nga detyra e kryetarit të partisë, Eduard Selami. 53 delegatëve të partisë në rrethe, paraqitën mocion mosbesimi ndaj Selamit. Ai u shkarkua me 607 votat e Berishës në forumet drejtuese të kësaj parti. Votimi u krye në kundërshtim të plotë me statusin e partisë. Vota për shkarkimin e Selamit ishte nominale ndërkohë që statuti parashikonte votë të fshehtë.
Pak kohë më vonë, në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, Tritan Shehu u zgjodh kryetar në një garë me deputetin demokrat, Ferdinand Xhaferri. Shehu mori 397 ndërsa rivali të tij 195 vota.
Zgjedhjet e vitit 1996, PD i fitoi me një mazhorancë absolute. Rezultati i zgjedheve të 26 majit u kontestua nga opozita socialiste por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Partia Socialiste nuk i pranoi zgjedhjet dhe, vetëm një vit më vonë vendi u përfshi në protesta masive si pasojë e falimentit të firmave piramidale ku shumica e popullsisë kishte depozituar kursimet.
Në këtë situatë kaotike, u rrëzua qeveria demokrate dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Partia Demokratike pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e qershorit të vitit 1997. Berisha dha dorëheqje nga posti i presidentit dhe u kthye në PD.
Reformatorët, tjetër grup “armiqësor” në PD
Në opozitë, Partia Demokratike do të duhej të riorganizohej. Në Kuvendin Kombëtar të vitit 1999, në garën për postin e kryetarit të partisë u përfshi nënkryetari, Genc Pollo. Nuk ishte një kandidaturë për hir të plotësimit të numrit në garë, por një kandidaturë reale. Genc Pollo kishte vendosur të përballej me liderin e fortë me shpresën për ta mundur atë në garën për postin e kryetarit. Nuk ishin në kushte të barabarta. Forumet drejtuese të partisë dominoheshin nga kryetari Berisha dhe kjo sigurisht që do të ndikonte në këtë garë.
Ndërkohë rreth Pollos ishin mbledhur një grup i kosniderueshëm deputetësh dhe anëtarë të forumeve drejtuese të partisë. Por ata nuk ishin mjaftueshëm në numër dhe në influencë për të mundur Berishën. Pasi nisi gara, grupi i Pollos i cili u quajt grupi i reformatorëve të partisë, kuptoi vshtirësitë me të cilat po haseshin dhe Genc Pollo u tërhoq nga gara në momentin e fundit.
Me largimin e Pollos nga gara, në përmbushje të detyrimit statutor, Berishës i duhej një rival në garë. Për këtë arsye u zgjodh Uran Butka në një garë, fituesi i së cilës dihet, ai ishte Berisha.
Pollo e akuzoi lidershipin e PD-së për konkurrencë të pandershme, për presion ndaj delegatëve dhe për manipulimi. Pollo bashkë me një grup deputetësh nisën të veprojnë politikisht të ndarë nga PD. Pas shumë përplasjesh Genc Pollo me një grup deputetësh demokratë themeluan partinë e tyre, Partinë Demokrate të Re. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, PDR konkuroi e vetme dhe u përfaqësua në Kuvend me një grup deputetësh.
Kthimi pa kushte i “armiqve” të Berishës
Pas katër vitesh, PDR iu bashkua PD-së. Në këtë periudhë u kthyen në PD thuase të gjithë të përjashtuarit ndër vite. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, kur PD po i afohej pushtetit, pati edhe hapje të partisë. KOP ishte një grup teknicienësh që u përfshinë në prag fushate në PD dhe prej tyre mbetën disa figura të rëndësishme që sot janë në lidershpin e kësaj partie. Lulzim Basha ishte një prej tyre. U zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të viti 2005 dhe për gjashtë vite ishte një prej ministrave më të rëndësishëm të qeverisë Berisha.
Pas tetë vitesh në qeverisje, PD i humbi zgjedhjet më 23 qershor 2013. Menjëherë pas humbjes, Berisha dha dorëheqje ashtu siç kishte premtuar dhe hapi garën për zgjedhjen e pasuesit.
Basha u zgjodh në krye të PD-së, në korrik të vitit 2013, pas një garë me kandidatin tjetër Sokol Olldashi. Ky i fundit ishte një prej drejtuesve kryesorë të PD-së në dhjetë vitet e fundit. Rezultati i zgjedhjeve u pranua nga Olldashi, por jo pa kontestime sa i përket procesit të zgjedhjeve.
Pak muaj më pas, Sokol Olldashi humbi jetën në një aksident rrugor. Lulzim Basha drejtoi PD-në në zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Ishte sfida e tij e parë dhe pësoi një humbje të thellë. Ishin zgjedhje lokale dhe ato nuk konsiderohen si test politik për liderin.
Mbeten edhe dy vite në dispozicion të kryetarit të ri Lulzim Basha, deri në provën e parë politike në krye të partisë. Atëherë do të jenë ditët kur Basha të dëshmojë se e ka zënë vërtet vendin bosh të lënë nga Sali Berisha në PD. /tesheshi.com/