Gjylymsere Kasapi është një ndër emrat shqiptarë që do garojnë në zgjedhjet e pritshme të 11 dhjetorit në Maqedoni, nën siglën e një partie maqedonase.
Ajo dhe Muhamed Zekiri, ky i fundit një gazetar i njohur, i janë bashkangjitur LSDM-së së Zoran Zaevit, që sipas parashikimeve e kanë të sigurt mandatin e deputetit. E ndërsa Muhamedi vjen nga bota e medias si një figurë me shumë reputacion, Gjylysmeja është një profesoreshë e njohur dhe po ashtu gëzon një prestigj në shoqërinë maqedonase, duke qenë gjithë këto vite e përfshirë në inisiativa me karakter politik e social.
Zgjedhjen e saj të fundit për të qenë krah Zaevit, si kandidate e partisë së tij në zgjedhje, ajo e shpjegon si rrjedhojë e natyrshme e vetëdijes së saj të pjekur politike në funksion të një shoqërie të shëndetshme ndëretnike.
Në një intervistë për tesheshi.com, znj. Gjylymsere sqaron praninë e saj në partinë më të madhe opozitare maqedonase…
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Zonjë e nderuar, me çfarë vetëdije politike e atdhetare njëherësh keni pranuar të kandidoni për një parti maqedonase?
Deri sot, nuk kam bartur asnjë post politik dhe shtetëror. Me plot përgjegjësi them se jam dëshmuar gjatë gjithë viteve të kaluara të demokracisë së brishtë në Maqedoni: me vet faktin që jam kumbare e Partisë së parë shqiptare(PPD) në Maqedoni, e cila u themelua me ndihmën dhe sakrificën e familjes dhe miqve të mij në fillim të vitit 1990, isha kryetare e shoqatës së gruas në kuadër të kësaj partie, që më vonë në nëntor të vitit 1992 të jem nismëtare për themelimin e Lidhjes së Gruas Shqiptare, bashkë me 15 shoqe të mia nga Tetova. Kam qenë ndër iniciatoret kryesore për themelimin e Universitetit të Tetovës, me idenë shumë fisnike që të rinjtë dhe të rejat shqiptare të arsimohen në gjuhën e tyre amtare. Kam qenë e kyqur në themelimin e Lobit të Grave të Maqedonisë, si dhe në shumë aktivitete tjera me karakter politik dhe shoqëror. E gjithë kjo histori dëshmon shqetësimin tim të kahershëm për pozitën politike dhe shoqërore në Maqedoni; gjë që reflekton ngritjen e vetëdijes sime mbi stereotipet ballkanike dhe mendoj se është koha e fundit kur partitë politike duhet të përqafojnë konceptin e organizimit qytetar në të gjitha fushat e jetës në vend.
Mos doni të thoni se pavarshësisht nga konteksteve të ngushta nacionale, ju e shikoni si të domosdoshëm një bashkëpunim në emër të parimesh tej diferencave etnike?
Partitë nacionaliste, ngadalë do t’i takojnë historisë, pasi sjellin ide të kufizuara në çdo pikëpamje duke e ngulfatur shoqërinë. Unë me një mendje të hapur, pranova bashkëpunimin duke mbështetur parimet dhe platformën politike zgjedhore të LSDM-së, duke udhëhequr qytetarët e interesuar për jetë më të mirë në Maqedoni.
Ç’vlerësim keni personalisht për figurën e Zoran Zaevit?
Qëndrimet e Zoran Zaevit, të prezentuara para opinionit dhe elektoratit në vend janë kompatibile me qëndrimet e mia personale politike, të cilat kanë gjetur mbështetje tek shumë qytetarë shqiptarë dhe qytetarët e përkatësive tjera etnike. Jam thellë e bindur se premtimet për realizimin e shumë çështjeve që e ngarkojnë qytetarin në Maqedoni, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit do të bëhen realitet.
A mendoni se ai përçon një frymë që do sillte një erë të re në bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni?
Është fakt i pamohueshëm që maqedonët, shqiptarët dhe etnitetet tjera jetojnë afër njëri-tjetrit. Kjo është e vërteta më e madhe që disa subjekte politike deri sot nuk kanë dashur ta perceptojnë, duke e shfrytëzuar formulën nacionaliste për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike që kanë të bëjnë me paga dhe standard të ulët, varfëri të skajshme dhe pasiguri në shumë fusha të jetës.
Në platformën të cilën e promovon lideri Zoran Zaev, ndodhet edhe dy gjuhësia. A vlerësoni se kjo mund të jetë një pikë e zbatueshme pas hyrjes se LSDM-së në pushtet?
Mendoj se kjo ka mund të jetë e zbatueshme për çdo qeveri e deritanishme, por subjektet politike kanë arritur deri në këtë gjendje në të cilën aktualisht jemi. Të mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit aty ku jetojmë bashkë (në mjedise të përziera), vetëm sa e shton vlerën e një shoqërie e cila pretendon të jetë demokratike dhe e ngjashme me shumë shtete të Bashkimit Evropian.
Cilat do jenë prioritetet e juaja si forcë politike nëse do vini në pushtet?
Shpresoj në fitore. Do t’u përgjigjem votuesve dhe kërkesave të tyre pasi ata që do më votojnë, ju premtoj se gjithmonë do më kenë pranë, duke i mbrojtur interesat e tyre në realizimin e programit të qeverisë së ardhshme e cila garanton jetë dhe standard më të mirë, punësime për të rinjtë dhe paga më të larta që të rinjtë të qëndrojnë në Maqedoni.
Dhe brenda kësaj force ku aderoni, a ekziston një frymë pozitive për një erë të re për shoqërinë e lodhur maqedonase, sidomos nga diferencat etnike?
Kjo forcë besoj se është vetëm një fillim i një fryme të re e cila do t’i mund të gjitha politikat nacionaliste në Maqedoni.
Siç u pa dhe në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, shqiptarët nuk ishin të bashkuar e kjo kostoi rëndë duke patur tashmë vetëm një deputet në parlament. Çfarë e diferencon atë realitet nga ai i Maqedonisë që mos ndodh diçka e ngjashme dhe më 11 dhjetor?
Realiteti politik në Maqedoni dallon nga ai në Mal të Zi. Kemi subjekte politike shqiptare të cilat kanë trup votues stabil dhe me siguri do të reflektojë më ndryshe.
Cili është vlerësimi juaj për fenomenin BESA në politikën maqedonase?
BESA nuk është fenomen, por reakcion i pakënaqësisë së shqiptarëve përballë politikave të deritanishme të partive shqiptare .
A mendoni se epoka e Ali Ahmetit duhet të përfundojë më 11 dhjetor dhe nëse po, përse?
Epoka e politikave të deritanishme, me theks të veçantë në problemet etnike, nacionale, shpresoj të zbehet kurse ndikimi i tyre të dobësohet.
Çka bërë më keq pushteti aktual sipas gjykimit tuaj?
Më e keqja është që nuk i ka interesuar qytetari, dhe mendoj se kjo është e pafalshme për një pushtet.
E jeni shpresëmadhe se pas 11 dhjetorit gjërat do të ndryshojnë për mirë në Maqedoni dhe çfarë jua ushqen këtë?
Optimizmi më ka udhëhequr në jetë. Pse optimiste edhe tani kur jam pjesë e një koalicioni, dhe platforme politike parazgjedhore që do ta luftojë të keqen, korupsionin, emigrimin dhe varfërinë.
Nëse do kishit një thirrje për ta nxitur vetëdijen e elektoratit shqiptar që ta çojë votën atje ku duhet më 11 dhjetor, cila do ishte ajo?
Vetëm një porosi: VOTONI PËR VETEN. /tesheshi.com/