OSBE/ODIHR ka publikuar raportin për zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa evidenton disa parregullsi në lidhje me këtë proçes.
Një ndër to është edhe shit-blerja e votës, për të cilën kërkohen adresime të forta për të ndaluar fenomenin.
Gjithashtu rekomandohet që grupet e numërimit të votave të mos jenë partiake, ndërsa shtyrja e proçesit të votimit me 1 orë konsiderohet si e pabazuar ligjërisht.
Në raport thuhet se ditën e zgjedhjeve janë vërejtur parregullsi e mosveprime proçedurale.
“Janë vërejtur votime në grup dhe ndërhyrje nga aktivistë partiakë”, evidenton raporti.
Një nga rekomandimet kryesore të OSBE është edhe hartimi i një reforme të re zgjedhore gjithëpërfshirëse.
“Të thellohet depolitizimi i administratës publike”, thuhet gjithashtu në raportin e OSBE.
Po kështu OSBE/ODIHR sugjeron ngritjen e një trupe për të analizuar fenomenet para dhe pas zgjedhjeve, sikundër i kërkohet KQZ që të nisë fushatat e ndërgjegjësimit për komunitetet rome dhe egjyptiane në lidhje me të drejtën e votës.
Një tjetër rekomandim ka të bëjë me shkurtimin e afateve kohore të ankimimit, sikundër u kërkohet partive politike të shmangin financimet e dyshimta apo përfshirjen në listat e kandidatëve të personave me preçedentë apo të shkuar të dyshimtë.
Ndër të tjera në këtë raport thuhet se në bazë të marrëveshjes mazhorancë-opozitë të 18 majit u zhvillua një fushatë e lirë, ku u respektuan liritë themelore.
Marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin.
Sipas raportit, politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në proçesin zgjedhor.
Ndërsa vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, raporti vë në dukje edhe moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa prej qendrave të votimit, ku theksohet se ka pasur vonesa në fillimin e procesit. /tesheshi.com/