Nga Ylli Pata
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të lançojë gjatë vizitës në Tiranë strategjinë e Uashingtonit në lidhje me zgjedhjet e Presidentit të ri të Kosovës.
Burime diplomatike i thanë teshehsi.com se do të tentohet i ashtuquajturi “Jahjaga 2” ku “1”-shi ka qenë rezultativ dhe në një farë mënyrë konsensual.
Siç mësohet, Sekretari Kerry, gjatë vizitës të së dielës në kryeqytetin shqiptar do të zhvillojë takime me një delegacion kosovar dhe ka shumë gjasa të jenë dhe përfaqësues të opozitës.
Por nuk do të jetë Uashingtoni publikisht që të sponsorizojë një zgjidhje ekstra politike por pikërisht Tirana, e cila është juridikisht aleati më i ngushtë i Prishtinës zyrtare dhe afektivisht shteti amë për një pjesë të madhe jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës por të të gjitha trevave.
Burimi diplomatik, i pyetur nga tesheshi.com se mos kemi të bëjmë me një rikandidim të zonjës Jahjaga, nuk e mohoi aspak një mundësi të tillë, edhe pse nuk e konfirmoi plotësisht.
Por siç mësohet, janë përjashtuar totalisht zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të cilat do të ndikonin fuqishëm në zgjedhjet në Serbi që zhvillohen në muajin mars. Burimi diplomatik bëri të ditur se nëse do të kemi zgjedhje të parakohshme në Kosovë atëherë do të rritej fuqia e krahut radikal në Serbi dhe sipas të gjitha gjasave, grupimi që mbështetet nga presidenti Nikoliç dhe ministri i Jashtëm Daçiç do të fitonte terren dhe atëherë mund të kishte kthim prapa në proces, siç ndodhi kur u vra kryeministri Zoran Xhingjiç.
Hashim Thaçi sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë Presidenti i ri i Kosovës dhe gjithnjë e më shumë po flitet për një gjeneratë të re politike.
Byroja kosovare
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni ishte para dy ditësh në FBI-në amerikane ku ka lidhur një marrëveshje, sipas së cilës agjenci do të ketë akses në ekspertimin e krimeve të rënda, atë të korrupsionit dhe terrorizmit. Që do të thotë se kemi të bëjmë me një rast të ngjashëm në Shqipëri ku po ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Ndërkaq në Kosovë nuk do të bëhet një shtesë ligji por do të jetë FBI ajo që do të kontribuojë në vërtetimin e akuzave për pastrim parash dhe korrupsion.
Së shpejti Kryeporkurori i Kosovës, Aleksandër Lumnezi pritet që të vizitojë Uashingtonin, ku së bashku me FBI-në do të hartojë një strategji hetimi për bosët e krimit dhe pushtetit në Kosovë, të lidhur me njëri-tjetrin. Edhe kjo pikë gjithashtu do të jetë pjesë e axhendës së John Kerry-t në Tiranë. /tesheshi.com/