Ka pasur një lob të fuqishëm dhe aleancë reale brenda Kongresit të UEFA-s që sapo mbylli punimet pozitivisht për Kosovën duke e pranuar në UEFA.
Përkatësisht, Serbia dhe Zvicra kanë përgatitur një grup shtetesh që të rrëzonin pranimin e Kosovës në UEFA dhe ia kanë arritur në fillim me çështjen e statutit.
Siç bën të ditur televizioni publik zviceran në gjuhën italiane, “Zvicra ka arritur që të ndalojë ndryshimin e statutit të UEFA-s për çështjen e Kosovës. Por ka qenë e papërgatitur kur menjëherë Fadil Vokkri ka depozituar zyrtarisht propozimin për pranimin e Kosovës”.
Kurse mediat tabloide serbe në korr e kanë cilësuar skandal. Kurir, Blic, Informer, sulmojnë UEFA-n se ka shkelur statutin.
Por cilat janë arsyet e dy shteteve për kundërshtimin e pranimit të Kosovës në UEFA?!
Serbët i mëshojnë sërish rrefrenit politik dhe nacionalist, kur faktikisht kjo është një çështje sportive. Me një shembull fare të lehtë mund të rrëzohet teza e tyre:
Mbretëria e Bashkuar është anëtare e OKB-së, por anëtare të FIFA-s dhe UEFA-s janë anëtarë me të drejta të plota dhe federatat e Skocisë, Uellsit dhe Irandës së Veriut që janë pjesë e Britanisë së Madhe apo UK-së.
Ndërkaq, edhe Ishujt Faroe apo San Marino janë pjesë të UEFA-s dhe FIFA-s.
Ndërkohë zviceranët janë si gjithmonë tepër praktikë dhe konkretë.
Kundërshtimin e pranimit të Kosovës ata e kanë pasi u rrëzohet baza e kombëtares së tyre të futbollit që “zemrën cilësore” e ka me lojtarë nga Kosova. Madje jo vetëm e ekipit aktual, por edhe ai e shumë viteve pasuese, pasi edhe ekipet e moshave duke nisur nga “U21” dhe “U19” etj., janë plot me lojtarë nga Kosova.
Kështu, ndërsa mediat e Zvicrës gjermanofolëse janë të ftohta në lajmet e tyre, ato frankovone dhe italishtfolëse e thonë hapur hallin e tyre.
Gazeta Tribune de Geneve thekson se “Kombëtaret e Zvicrës janë drejt dizintegrimit dhe të gjithë lojtarët tanë më të mirë do të luajnë për vendin e tyre”.
Kurse televizioni publik i Zvicrës në gjuhën italiane, RTSI thekson në lajmin e tij se “ky vendim mund të ketë pasojë të rënda për Zvicrën pasi shumë lojtarë si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka mund të vendosin menjëherë të vesshin bluzën e përfaqësueses së vendit të origjinës së tyre”.
Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/