Tentativa e 16 tetorit të vitit të shkuar për një rrëzim me dhunë të pushtetit në Mal të Zi ka prekur edhe Shqipërinë dhe shumë shpejt pritet që hetimet edhe në territorin shqiptar të marrin formë zyrtare.
Me mbylljen e procesit që tashmë ka nisur në Podgoricë ndaj një oficeri të shërbimeve sekrete ruse, ish-komandantit të xhandarmërisë serbe dhe disa veprimtarëve politikë vendas, pritet që të ketë një avancim të dosjes për origjinën dhe rrugën e transportimit të armatimit që shkoi në Podgoricë, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 16 tetorit 2016.
Siç mësohet nga burime të rëndësishme, operacioni për kapjen e grupit puçist nuk ka qenë thjeshtë malazez, por në të janë përfshirë, kryesisht në vjeljen e informacionit, agjenci inteligjente të vendeve anëtare të NATO-s që të dhënat i kanë shpërndarë, jo vetëm në Podgoricë, por edhe në Tiranë.
Ndërkohë, tani që po i afrohemi një-vjetorit të kësaj përpjekje, mësohet se jo vetëm Mali i Zi, por edhe Shqipëria, madje edhe Kosova kanë qenë terren i tentativës për destabilizim.
Siç mësohet nga tesheshi.com, grupimi i trafikut të armëve që ka vepruar në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me njerëzit që organizuan komplotin në Podgoricë, do të ishin dhe pjesa e një bërthame që do të destabilizonin Shqipërinë përpara zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan më 25 qershor.
Madje, deri në Kongresin Amerikan u përpunua një deklaratë, e cila u publikua edhe në Top Channel, se qarqet ruse kanë planifikuar të destabilizojnë situatën në Shqipëri.
Në prag të vizitës së Zv.presidentit Amerikan Mike Pence në Podgoricë mund të thuhet se ka një mobilizim më shumë se ndërrajonal për t’i dhënë peshë kësaj vizite, që përveç se bilaterale është edhe pjesë e një axhende rajonale, pasi numri dy i Shtëpisë së Bardhë do të takohet në kryeqytetin e Malit të Zi me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht kjo vizitë do të vulosë edhe triumfin e Uashingtonit ndaj tentativës ruse për të destabilizuar rajonin.
Një vit më parë, tesheshi.com ka publikuar një lajm që vinte nga agjencitë ligjzbatuese, sipas të cilit, armët që janë sekuestruar në Mal të Zi si pjesë e arsenalit të grupit komplotist kanë kaluar nëpërmjet rrugës së Shkodrës përtej kufirit.
Sot mësojmë se operacioni ka qenë thuajse me detaje i ditur dhe çdo gjë ka funksionuar sipas një plani të qartë: gjithçka është ndjekur nga shërbime shumë, shumë të fuqishme të një vendi perëndimor, i cili ka pasur njerëzit e tij, pikërisht në operacionin e furnizimit të armëve.
Më vonë, pas zbulimit të komplotit, arrestimit dhe dekonspirimit të tij publik nga Podgorica zyrtare, ka qenë e përditshmja e Londrës The Guardian, e cila ka publikuar detaje nga plani operativ i grushtit të shtetit për të mos lejuar që fitorja e partisë së Milo Gjukanoviçit të kthehet në një qeveri pro NATO-s e më pas anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik në Aleancën veriatlantike.
Edhe Guardian publikoi atëherë planin dhe rrugën e transportimit të armëve nga zona e Shkodrës.
Por sot mësohet se grupi operativ që ka drejtuar dhe organizuar trafikun e armëve, do të qëndronte “në fjetje” për t’u aktivizuar në një operacion në Shqipëri.
Operacion që realisht u dogj një vit më parë, madje që në nisje.
Plani i Moskës ishte për trazira në Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, për të krijuar një vatër, e cila do të shtynte në kalenda, jo vetëm mundësinë e integrimit europian të vendeve të Ballkanit, por në radhë të parë për ta bërë fakt të kryer kundërshtimin ballkanik ndaj NATO-s.
Këtu ka vepruar Uashingtoni, i cili solli në Ballkan dy misione të rëndësishme: një nga Kongresi, ku para katër muajsh ishte në të gjithë kryeqytetet e Ballkanit, kryetari i Komisionit të Senatit për Shërbimet inteligjente dhe ato të armatosura, John McCain, dhe më pas ka zhvilluar një mision shëtitës mbi tre muajor zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee.
Por paralelisht me zyrtarët amerikanë, Tiranën, Podgoricën, Shkupin e Prishtinën e kanë vizituar qeveritarë të lartë gjermanë, por edhe parlamentarë të rëndësishëm, duke u nisur që nga zëvendësi i kancelares merkel, ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel.
Ishte pikërisht ky i fundit që në kulmin e çadrës së opozitës, i bëri të ditur Lulzim Bashës se nuk do ketë asnjë njohje të kauzave politike të PD-së nëse kjo e fundit nuk hyn në zgjehdje.
/tesheshi.com/