Falë një baldoseje, arkeologët në Spanjë kanë gjetur më shumë se 200 monedha romake që ishin fshehur në një shpellë për shekuj.
Kafsha depërtoi në një çarje në shkëmb brenda shpellës La Cuesta në rajonin e Asturias në Spanjën veriperëndimore dhe nxori monedha që u gjetën më vonë nga vendësi Roberto Garcia.
Garcia më pas kontaktoi arkeologët, duke përfshirë udhëheqësin e gërmimeve Alfonso Fanjul. Arkeologët besojnë se baldosa po kërkonte ushqim ose po gërmonte një fole kur hynte në shpellë.
“Kur arritëm atje, gjetëm një vrimë që të çonte në folenë e baldosës dhe toka rreth saj ishte plot me monedha”, tha Fanjul për CNN, duke shtuar se baldosa kishte gërmuar më shumë se 90 monedha.
Më pas, arkeologët kryen gërmime arkeologjike në zonë dhe gjetën gjithsej 209 monedha që datojnë nga viti 200 deri në 400, pra nga periudha e vonë romake.
Fanjul beson se monedhat ishin fshehur nga njerëz që iknin nga barbarët.
“Ne mendojmë se është një reflektim i paqëndrueshmërisë sociale dhe politike që erdhi së bashku me rënien e Romës dhe ardhjen e barbarëve në veri të Spanjës,” tha arkeologu.
Monedhat aktualisht janë duke u pastruar dhe do të ekspozohen në Muzeun Arkeologjik të Asturias, tha Fanjul, i cili planifikon të kryejë gërmime të mëtejshme në vend këtë vit.
“Ne hoqëm depozitën e parë, por mendojmë se ka shumë më tepër të fshehura atje,” tha ai, duke shtuar se tashmë ishte thesari më i madh romak i gjetur në një shpellë në Spanjë.
“Ky është një moment unik,” tha ai. /tesheshi.com/