Ish-deputeti socialist Arben Isaraj, ka bërë një përçapje të tijën personale për të nxjerrë të gjitha shkeljet kushtetuese të presidentit Meta, në rastin e anullimit të 30 qershorit.
Sprova e tij juridike si jurist, vjen në momentin e një debati mbi draft-qëndrimin e Venecias, ku përkrahës të presidentit po tentojnë t’i bëjnë avokaturën, sidomos duke ngritur pyetjet retorike: “çfarë neni ka shkelur konkretisht Meta?”
Isaraj bën pikërisht këtë gjë: u jep përgjigje “nen për nen” se ku, sipas tij, kreu i shtetit e ka shkelur Kushtetutën.
Zbërthimi i Isarajit:
Në Republikën e Shqipërisë sipas nenit 88/11 të Kushtetutës, Presidenti fillon detyrën pasi bën këtë betim para Kuvendit :
“Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”.
Presidenti mund të shtojë edhe:
“Zoti më ndihmoftë”.
Nëse ky betim shkelet, Kuvendi merr autoritetin nga Kushtetuta, të gjykojë mosbindjen presidenciale ndaj Kushtetutës e Ligjit dhe Vendimin e tij t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese për gjykim.
Është Gjykata Kushtetuese ajo, që vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës dhe deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Sipas pikës 2, të nenit 90 të Kushtetutës “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”.
Me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” si dhe mbështetjen e tij të gabuar Kushtetuese e ligjore, Presidenti nuk i është bindur normave të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor në fuqi, duke i shkeluar ato si më poshtë:
- Është shkelur pika 3 e Nenit 1 të Kushtetutës, që sanksionon periodicitetin e zgjedhjeve.
- Është shkelur Neni 3 i Kushtetutës”, duke mos respektuar dhe mbrojtur por cënuar bazat e shtetit, sidomos : dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues etj.
- Është shkelur Neni 4 i Kushtetutës i cili sanksionon se, Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur vet Kushtetuta parashikon ndryshe.
- Është shkelur neni 15 i Kushtetutës i cili sanksionon, se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, e për këtë arsye organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
- Është shkelur Neni 45/4 i cili sansionon se, “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”.
- Është shkelur Neni 86 i Kushtetutës, me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, pasi Presidenti i Republikës si Kryetar i Shtetit nuk ka përfaqësuar unitetin dhe interesin e përgjithshëm të popullit në vendimmarrjen e tij.
- Është shkelur pika (gj) e Nenit 92 të Kushtetutës, pasi Presidenti me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në vend që të caktoj datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor e ka anulluar atë;
- Është shkelur Neni 3, i KODIT ZGJEDHOR, cili sanksionon si parime të përgjithshme : Zgjedhjet janë periodike; cdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod; institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë e tyre nuk duhet të cenojnë zhvillimin e zgjedhjeve etj…
- Është shkelur Neni 8 i KODIT ZGJEDHOR, i cili flet për periudhën zgjedhore dhe sanksionon se, zgjedhjet për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor.
- Është shkelur Neni 10 i KODIT ZGJEDHOR, i cili flet qartë për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, si dhe mbarimin e mandatit të organeve të qeverisjes vendore
*Notë e nevojshme sqaruese :
Për të mos “jetuar” e “ëndërruar më tutje me paragjykime politike dhe juridike, duhet thënë se:
- Termi “shkelje e rëndë kushtetuese” sot në Shqipëri, për mungesë dhe të traditës (precedentit kushtetues) ende mbetet i papërcatuar qartë ligjërisht.
Është ky rasti i parë që Gjykata Kushtetuese shqiptare do të shprehet.
Vet termi “shkelje e rëndë” vjen nga tradita ligjore britanike, si një lloj vepre antiligjore, të cilën parlamenti britanik e ka cituar me rastet e largimit të zyrtarëve të kurorës për shekuj me rradhë.
Në thelb, kjo nënkupton “abuzim me pushtetin” nga një zyrtar publik i nivelit të lartë, “vepër që rrjedh nga sjellja e gabuar e personave publikë, ose, me fjalë të tjera, “abuzim ose shkelje e besimit të publikut”.
Ato janë të një natyre që mund të emërtohen si “politike”, pasi lidhen kryesisht me dëmtimet e bëra për vetë shoqërinë. dhe jo domosdoshmërisht nënkuptojnë shkelje të një ligji të zakonshëm penal.
Por, se çfarë përbën “shkelje të rëndë” është ende e paqartë juridikisht.
Historikisht, ato kanë përfshirë abuzimin me pushtetin, korrupsionin si dhe abuzimet e tjera të besimit të publikut. - E drejta kushtetuese nuk mund të zbatohet për analogji si e drejtë penale, pasi Kushtetuta nuk është as Kod Penal dhe as Kod i Procedurës penale.
Prandaj përpjekja mjerane se shkeljet janë bërë për shkak të :
Mbrojtjes së nevojshme (të drejtat e popullit opozitar në rrezik nga populli mazhoritar);
Nevojës ekstreme (për të shpëtuar nga djegja “Rajshtagun“ shqiptar),
si dhe
Dhunës dhe kanosjes popullore, për vëllavrasje nga brenda dhe jashtë vendit, janë sa absurde aq dhe qesharake. - Është koha të hiqet dorë nga opinionet politike dhe të mirëkuptohet “sarkazma” ndërkombëtare (sidomos veneciane) se :
- Pavlefshmëria e dekreteve presidenciale vendoset nga Gjykata Kushtetuese, si dhe
2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve vendoset po nga Gjykata Kushtetuese.
Pasi, sipas nenit 116 të Kushtetutës dekretet presidenciale, nuk janë akte normative dhe si të tilla nuk janë objekt i gjykimit kushtetues sipas germës “c”, pikës 1, të nenit 131/21 të Kushtetutës.
Po sipas neneve 116 dhe 117 të Kushtetutës, dekretet presidenciale, duke mos qënë akte normative nuk hyjnë në fuqi, nga botimi i tyre në Fletoren Zyrtare.
Nga ana tjetër, ankimi në rrugë gjyqësore për proceset zgjedhore si dhe pavlefshmëria e zgjedhjeve sipas Kushtetutës e Kodit Zgjedhor në fuqi ( Pjesa XI, Kreu 1 ) , bëhet dhe vendoset në Kolegjin zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe jo më në Gjykatën Kushtetuse.
Ndaj, sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti nën betim, të pres vendimet e Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese
edhe ….
“Zoti të ndihmoftë”. /tesheshi.com/