Beogradi që deri më tani ka heshtur dhe bërë sehir duke parë krerët kosovarë që të kacafyten me njëri-tjetrin përZajednicën, e madje ta qajnë dhe me lot atë (prej gazit lotsjellës), ka reaguar ashpër menjëherë pas dërgimit të saj në Gjykatën Kushtetuese nga ana e presidentes Atifete Jahjaga.
Siç bën të ditur televizioni B92, kreu i qeverisë serbe Aleksandër Vuçiç e ka konsideruar si “thikë pas shpine” qëndrimin e Prishtinës zyrtare.
“Firma ime në këtë dokument nënkupton shumëçka. Ky është qëndrimi ynë që respektojmë paktet, kurse Prishtina po tregon se nuk di të respektojë marrëveshjet e firmosura nga ata vetë. Krerët e Prishtinës e dërguan Asocacionin e Komunave Serbe në Gjykatën Kushtetuese një ditë pasi nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, deklaroi Vuçiç.
Kurse, koordinatori i ekipit të Beogradit për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, Lubomir Mariç, ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Europian për këtë çështje.
“Duhet të bisedojmë me BE-në dhe Serbia duhet të kërkojë nga Brukseli sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marrë përgjigje për fatin e kësaj marrëveshjeje”, tha Mariç. /tesheshi.com/