Ndërsa askush për momentin nuk e di se çdo bëhet pas krizës së re politike të krijuar në Kosovë, deputeti i partisë NISMA për Kosovën, Zafir Berisha, paralajmëron se nëse këtë javë nuk zgjidhen organet drejtuese të Kuvendit të Kosovës, kryetari e nënkryetari, vendi rrëshqet drejt zgjedhjeve të reja. Për këtë situatë, ai bën gjithë klasën politike.
Deputeti i NISMA-s thotë se Vetëvendosje dhe LDK me aleatët nuk e kanë gjetur mënyrën e duhur për të bërë bllokadë pasi thotë se Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar më 2014-të zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit.
Deputeti Berisha në intervistën dhënë për tesheshi.com tregon për atë se sa do ishte Fatmir Limaj kandidat i pranueshëm nga partitë për kryekuvendar, poashtu flet për mundësinë e një qeverie gjithëpërfshirëse, kandidimin e tij për kryetar të Prizrenit e çështje tjera.
Intervistoi: Blendi Gashi
Si e sheh thirrjen e seancës konstituive për të enjten nga kryesuesi Adem Mikullovci? A është dashur paraprakisht të dihet rezultati i takimit konsultativ?
Me lapsusin që e ka bërë në seancën e fundit Adem Mikullovci i ka dhënë shanse partive parlamentare me gjet “qime në vezë”, siç thotë populli. Para se të caktohet seanca, në raste të tilla konsultimet janë të mirëseardhura për interes të formimit të institucioneve.
Si e shihni kërkesën e Kadri Veselit se tërhiqet nga kandidatura për kryekuvendar nëse VV e LDK e votojnë për kryeministër Haradinajn? A është kjo kërkesë jo serioze dhe një lojë e Veselit për të zvarritur formimin e institucioneve?
Është mufkë politike apo tallje me situatën sepse edhe Kadriu e di se sa inatin e gomarit e kanë kundërshtarët partiak. Me vetëdije apo pa të, jemi të gjithë duke i kontribuar krizës politike dhe shkuarjes në zgjedhje të reja.
A keni biseduar një emër tjetër brenda PAN-it për kryekuvendar përveç Veselit? A do ishte Fatmir Limaj njeriu i pranueshëm nga të gjitha partitë per kryetar Kuvendi?
Fatmir Limaj nuk është kandidat për kryeparlamentar sepse PAN ka një marrëveshje dhe NISM i respekton marrëveshjet deri në fund.
Limaj padyshim se është aktualisht figura më unifikuese politike në Kosovë, jo veç për krykuvendar por edhe kryetar të qeverisë. Mirëpo, ne kemi prirje me respektu fuqinë e votës dhe marrëveshjet politike deri aty ku nuk dëmtohet shteti.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes palëve dhe humben afatet ligjore për krijimin e institucioneve kush është fajtori? Mos dhe kjo është lojë e PDK-së që të përgatitë terrenin për shkuarje në zgjedhje të reja?
Bllokada artificiale që është të dërgon drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe kësisoj po i shërbejnë të gjithë, pra siç thash, dikush me vetëdije e dikush pa të. Opozita VV e LDK-AKR-Alternativa nuk e kanë gjetë mënyrën e duhur të bëjnë bllokadë sepse çështja e zgjedhjes së kryekuvendarit është e sqaruar fare mirë pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese më 2014. Ata, forcën e numrave duhet treguar në një rast tjetër.
Pse në gjithë këtë tollovi politike NISMA disi është e heshtur ? Cili është qëndrimi i partisë suaj?
NISMA është për të formuar institucione të qëndrueshme që i shërbejnë vendit dhe për këtë do të kontribuoj.
Sipas jush Kosova është më afër formimit të institucioneve apo shkuarjes në zgjedhje të reja?
Kosova me këtë logjikën primitive politike është më afër zgjedhjeve, gjithmonë nëse nuk kthjellohen kokat e sëmura të politikanëve me mentalitete provinciale. Zgjedhjet nuk është mirë të mbahen, por nëse vazhdohet edhe këtë javë me krizë, atëherë duhet menduar për to. Zgjedhjet i konvenojnë humbësve dhe dihet kush është humbës në këto zgjedhje.
Po një qeveri gjithëpërfshirëse me një mandat të caktuar për të kaluar disa tema të ndjeshme do ishte e pranueshme për ju?
Mund të ishte zgjidhje një qeveri gjithëpërfshirëse me marrëveshje për ndryshime të pakos ligjore për zgjedhjet duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese ku do të evidentohen hapësirat të cilat po keqinterpretohen dhe keqkuptohen dhe po futet më pas vendi në bllokadë politike e institucionale, siç ndodhi më 2014-të ashtu edhe tani.
Demarkacioni e Asociacioni janë gjëra që zgjedhën për 24 orë, dhe për to mendoj se nuk ka nevojë të formohet qeveri gjithëpërfshirëse.
Për fund, ju keni fituar mandatin e deputetit por ka kohë që keni paralajmëruar kandidaturën për kryetar të Prizrenit? Ç’gjasa keni të fitoni? Pse duhet që juve t’ua japin votën prizrenasit?
Gjasat e fitores janë të mëdha sepse prizrenasit janë bindë se me hajdutë nuk shkohet përpara, por as edhe me adoleshencën politike në tentative. Prizreni ka nevojë për një dorë të vendosur në qeverisjen e qytetit në përputhje me ligjin dhe rregullat e funksionimit demokratik, gjë që i ka munguar deri tani. Këtë jam i gatshëm t’ia ofroj prizrenasve. /tesheshi.com/