Kanë kaluar pothuajse tre muaj nga kthimi i udhëheqësve të LSDM-së dhe, lideri Zoran Zaev ende nuk ka dorëzuar materialet e përgjimeve të paligjshme, “bombat” të quajtura ndryshe . Në çdo dalje të tij publike, Zaev thotë që të gjithë materialet që posedon do t’ia dorëzojë prokurores speciale, Katica Janeva, mirëpo në intervistën e mbrëmshme ai tha se kjo do të ndodh kur Janeva do t’i kërkojë këto materiale nga ai.
Mes tjerash Zaev përsëri theksoi se posedon materiale edhe për çështje mjaft të ndjeshme siç është rasti i televizionit A1, Monstra, Shpion, si dhe për ngjarjet e muajit maj në Kumanovë. Gjithashtu Zaev tha që sipas asaj që është duke parë, prokurorja speciale e kryen punën me transparencë me ç’rast qytetarët do të kenë rast që të mësojnë shumë shpejt të vërtetën nga një institucion i pavarur.
“Prokuroria speciale e ka atë përgjegjësi historike të konfirmojë të vërtetën, ta nxjerr në sipërfaqe përmes rrugës institucionale, dhe ata të cilët gabuan para qytetarëve dhe institucioneve të përballen me fajin e tyre dhe me drejtësinë”, shtoi më tej Zaev.
Duke pasur parasysh këto deklarata të Zaevit, mbetet për t’u parë se kur do të dorëzohen këto materiale në duart e prokurores speciale, sa materiale të papublikuara posedon Zaev, dhe ku ruhen të njëjtat. /tesheshi.com/