Fushata e sapo nisur në Maqedoni për zgjedhjet e 11 dhjetorit po shoqërohet me premtimet e para të bujshme. E ndërsa nga kahja shqiptare ka një fokusim dhe në çështje etnike veç ayre ekonomike, tek kahja maqedonase është kjo e fundit që dominon, ose ndryshe “halli i xhepit”.
Kështu, lideri i LSDM, forcës kryesore opozitare në Maqedoni, Zoran Zaev, dje në tubimin e tij parazgjedhor në qytetin e Vinicës kërkoi mbështetjen e qytetarëve, siç tha ai “për planin e jetës që të rinjtë të mos ikin nga Maqedonia”.
Duke denoncuar korrupsionin qeveritar, Zaev tha se paratë do të kthehen drejt qytetarëve, ndërsa harxhimet do të ulen. Sipas tij, çdo vit nga buxheti vidhen nga 400 milionë euro, ndërsa 300 milionë të tjera shpenzohen në mënyrë jo-produktive.
“Maqedonia ka potencial! Të hollat që i kanë vjedhur do t’i lëshojmë drejt jush. Do të ketë edhe për pagë mesatare prej 30 mijë denarësh e do të kthehet 15% nga TVSH-ja për pagë plus në çdo familje!”, deklaroi Zaev.
Dhe kjo do ndodhë me patjetër pas 11 dhjetorit, ku siç tha “njeriu i bombave” drejt pushtetit të Gruevsk-Ahmetit, populli në Maqedoni do të dijë për kë ta lëshojë votën. /tesheshi.com/