Nga Shkëlzen Rrecaj
Ylli Prestreshi njihet si ndwr pingpongistët më të mirë kosovarë. Ai karrierën e ka filluar që nga viti 2006, e që po e vazhdon më shumë sukses dëshirën që pati babai i tij.
Prestreshi ka fituar shumë turne, brenda dhe jashtë vendit ku është stolisur me kupa, medalje dhe mirënjohje, të cilat janë motiv për të.
Ylli, për portalin ‘tesheshi.com’ ka treguar për fillimin e karrierës, për sukseset e tij si dhe për të ardhmen që e pret që një ditë të jetë një ndër më të mirë në sportin e pingpongut.
Ylli, na trego si fillove të merresh me pingpong?
Pingpongu ishte i njohur për mua, pasi që babai im ishte marrë me këtë sport, kështu që herë pas here ai me ftonte që t’i shikoja ndeshjet e pingpongut që zhvilloheshin në Prishtinë, mirëpo në fillim unë nuk e pëlqeja. Një ditë vendosem me shokë që se bashku të shkonim për të luajtur pingpong dhe ndoshta për shkak të atmosferës që krijohej aty, fillova ta pëlqej këtë sport dhe të merrem me të.
Pse e zgjodhe pikërisht pingpongun kur ky sport nuk është edhe aq i popullarizuar tek ne?
Mendoj që zgjedhja ishte e rastësishme pasi që unë si çdo i ri e pëlqeja futbollin me shumë, mirëpo pingpongu atëherë ishte sporti i vetëm që ishte i pranuar ndërkombëtarisht dhe e pashë si një mundësi të mirë që në një të ardhme të afërt ta përfaqësoja për grupmosha të reja Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Pingpongu konsiderohet nga njerëzit si një sport i lehtë dhe që nuk kërkon shumë angazhim në aspektin fizik, a janë të vërteta këto pretendime?
Jo, nuk janë të vërteta, sepse pingpongu përveç që kërkon angazhim në aspektin fizik po ashtu kërkon edhe angazhim në aspektin psikik, sa që është një krahasim interesant për sportin e pingpongut dhe thuhet se është e njëjtë si të vraposh 100 m sprint dhe të luash shah në të njëjtën kohë.
A është e vështirë të merresh me këtë sport në Kosovë? A është pingpongu sport i shtrenjtë dhe a kërkon investim?
Nuk është e vështirë të merresh me pingpong në Kosovë, si dhe nuk është sport i shtrenjtë kurse për investim kërkon investim minimal.
Ylli a mund të na tregoni sukseset tuaja të arritura në këtë sport?
Në fillim të karrierës jam shpallur shpresë e pingpongut kosovar, me pas kam arritur të bëhem kampion i kadetëve të Kosovës si dhe fitues i shumë turneve për kadetë, pastaj kampion i juniorëve të Kosovës dhe fitues i turneve të ndryshëm për juniorë, përfaqësim individual dhe ekiporë në arenën ndërkombëtare në Kampionatet Evropiane për të Rinj, në konkurrencën e seniorëve, përfaqësues dhe pjesëmarrës në kampionate të shumta evropiane dhe botërore.
Me klubin Prishtina kemi arritur të jemi shumë herë fitues të kampionatit ekipor dhe fitues të Kupës së Kosovës, po ashtu kemi arritur që të jemi fitues të ligës mbarëkombëtare Dardania.
Në pamundësi që edhe të shkollohen edhe të punojnë e edhe të merren me sport, shumë pingpongistë janë larguar nga ky sport për të siguruar një jetë më të mirë, a ka ndikuar kjo në uljen e cilësisë së pingpongut në vendin tonë?
Po, mendoj që ka ndikuar shumë, pasi mjaft lojtar cilësorë janë detyruar të tërhiqen për të kërkuar mundësia tjera për një jetë sa më të mirë.
Pingpongu është sporti i parë olimpik që është pranuar ndërkombëtarisht qysh në vitin 2003, a gëzon përkrahje ky sport nga shteti i Kosovës?
Po, ka përkrahje evidente.
Ylli, ju keni qenë dy herë kampion në konkurrencën e çifteve me bashkëlojtarin tuaj të klubit të Prishtinës dhe po ashtu si reprezentues e keni përfaqësuar Kosovën në shumë turne ndërkombëtare. Cili është dallimi me pingpongun ndërkombëtar?
Dallimi qëndron në atë se tek ne pingpongu luhet në mënyrë amatore, pa asnjë llojë kompensimi për lojtare dhe trajnerë, kurse në rajon dhe me gjerë pingpongu ushtrohet në mënyrë profesionale me kompensim për lojtarë dhe trajnerë.
Po si qëndron Kosova në raport me shtetet ballkanike?
Bazuar në investimet që bëhen ashtu edhe renditja është, pra gjendemi në pjesën e poshtme të renditjes.
Kosova nuk njihet si shtet nga 5 vende të Bashkimit Evropian, ky problem politik a ka paraqitur problem edhe në fushën e sportit, konkretisht për Përfaqësuesen e Kosovës në Pingpong?
Jo, Kosova është anëtarësuar në të gjitha organizatat ndërkombëtare të pingpongut.
Kosova nuk ka mundur të marrë pjesë në një kampionat të organizuar në Serbi, si qëndron puna me shtetet e tjera që nuk e njohin Kosovën, a ka pasur vështirësi kur këto shtete kanë qenë organizatore të garave?
Në shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën kur ka pasur ndonjë organizim të garave ka pasur vështirësi, megjithatë pjesëmarrja jonë është realizuar me përjashtim të Serbisë .
Pas ndërkombëtarizimit të disa sporteve dhe tashmë në prag të ndërkombëtarizimit të plotë të sporteve tjera (përfshirë Futbollin e Basketbollin), a mendoni se do të vazhdojë financimi i pingpongut për pjesëmarrje në turnetë ndërkombëtare?
Shpresoj që po.
A ka shpresë se Kosova do ta kapë ritmin për të qenë e denjë në garat ndërkombëtare?
Nëse angazhojmë eksperte nga jashtë dhe punohet me të rinjtë seriozisht është e mundur, me që kemi potencial të talenteve.
Sa kohë duhet për të arritur një nivel të kënaqshëm në garat ndërkombëtare?
Tri deri në pesë vite.
Çfarë ju ka lënë më së shumti përshtypje, çka do të veçonit nga përvoja juaj e deritashme në pingpong (ndonjë lojë, garë apo sukses)?
Ajo që më ka lënë shumë përshtypje është atmosfera e krijuar në palestrat sportive të shteteve të ndryshme, ndërsa si suksese do t’i veçoja fitoret e mija.
Me të gjitha këto vështirësi që përmendët, ku e shihni ju veten në të ardhmen? Do të vazhdoni të merreni me pingpong dhe çfarë prisni nga pingpongu i Kosovës në të ardhmen?
Unë do të vazhdoj te merrem me pingpong derisa të jetë i nevojshëm kontributi im ndërsa me vonë shpresoj të punoj si zyrtar i FPPK-së dhe të jap kontribut në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e mëtejmë të pingpongut tek grupmoshat e reja. Për fund shpresoj dhe pres ditë me të mira për pingpongun kosovar./tesheshi.com/