Një juri prej 12 anëtarësh e ka shpallur njëzëri fajtor të mërkurën Xhohar Carnaevin, amerikanin me prejardhje çeçene, për shpërthimet në Boston në vitin 2013.
Tre njerëz u vranë dhe 264 të tjerë u plagosën nga shpërthimet gjatë zhvillimit të maratonës së Bostonit më 15 prill 2013.
Djaloshi që e pati marrë nënshtetësinë amerikane në 2012-n, qëndroi i zbehtë dhe i palëvizur ndërsa juria e deklaroi fajtor. Ai qe gjetur i fshehur dhe i plagosur katër ditë pas shpërthimeve, ndërsa vëllai i tij më i madh u vra gjatë arratisë.
Asokohe 19-vjeçar, student i Universitetit të Masaçusetsit, Carnaevi përballet tani me dënimin me vdekje ose me burgim të përjetshëm.
Prokurorët u treguan mjaft të ashpër me të, teksa e portretizuan si një terrorist të pashpirt. Shtatëmbëdhjetë prej akuzave ndaj tij parashikojnë dënimin me vdekje.
Në Masaçusets nuk është ekzekutuar askush që nga viti 1947, dhe klerikët katolikë të shtetit përsëritën të hënën, kur u mbyll faza e parë e gjyqit, kundërshtimin e tyre ndaj dënimit me vdekje. /tesheshi.com/