Nga Bashkim Kastrati
Xhavit Drenori është asamblisti më i veçantë në Kosovës. Ai po tenton që të sjellë një frymë të re në qeverisjen lokale, e këtë thotë se e ka mësuar në Gjermani. Ai që nga viti 2012 është duke ndjekur studimet e doktoraturës në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin “Angel Kanqev” Rousse, Bullgari dhe Universitetin Teknik në Chemnitz të Gjermanisë. Ka jetuar për disa vite në Gjermani ku ka zhvilluar aktivitete të ndryshme, ndërsa ka kryer edhe praktikë në zyrat e disa deputetëve të Gjermanisë, periudhë kjo që thotë të ketë mësuar shumë për obligimet dhe përgjegjësitë që duhet marrë të zgjedhurit e popullit ndaj qytetarëve.
Edhe pse i takon Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e cila udhëheq në Drenas dhe ka shumicën absolute të asamblistëve, Drenori për çështje të ndryshme që janë në interes të qytetarëve, ka kritikuar dhe akuzuar edhe bashkëpartiakët e tij, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani në Kosovës, sepse dihet se shpesh përfaqësuesit e popullit kanë mendime tjera, por nuk guxojnë t’i thonë publikisht, ata deklarohen, veprojnë dhe votojnë si u thotë partia. Por Drenori edhe pse i përket PDK-së ai është “opozitari” më i madh në Kuvendin Komunal.
Ai ka kritikuar pushtetin lokal për keqqeverisje, punësime me favorizime, nepotizëm, ndërsa ka bërë edhe padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët e komunës në projekte të ndryshme. Ai për çdo vit ua dërgon votuesve të tij në shtëpi raportin njëvjeçar të punës së Kuvendit Komunal të Drenasit dhe aktivitetin e tij gjatë asaj periudhe kohore. Praktikë kjo e panjohur në Kosovë deri më tani. Asamblisti Drenori në një intervistë për TeSheshi tregon pse ka vendosur të kandidojë për asamblist, si e ka ndryshuar qasjen e bashkëpunimit me qytetarë, metodat që ka përdorur, si dhe sfidat dhe pengesat që i ka pasur në aktivitetet e tij.
Nga: Bashkim Kastrati
Jeni ndër asamblistët e rrallë që në prioritet e keni interesin e qytetarëve, për këtë shpesh keni kritikuar edhe partinë që i takoni, PDK-së, gjë që nuk ndodh përgjithësisht në Kosovë. Cili ka qenë motivi juaj për të marrë këto iniciativa?
Më lejoni që në fillim të ju them që aktivizimi im në politikë ka qenë pasojë e dy çështjeve: e para, pakënaqësia ime dhe e rrethit tim rreth qeverisjes lokale në Drenas dhe e dyta, jeta dhe studimet e mija në Gjermani, e sidomos praktika parlamentare në Bundestagun Gjerman në vitin 2008, më kanë motivuar shumë që praktikisht të provoj t’i shtyj ndryshimet e nevojshme në vendin tim. Kur jemi tek e dyta, që në fillim kisha identifikuar si problematikën më të madhe në qeverisjen lokale në Drenas, komunikimin tepër të mangët dhe të gabuar që ishte praktikuar ndër vite ndërmjet politikbërësve lokal në Drenas dhe qytetarëve.
Me vullnet të madh i hyra garës për të fituar mandatin e asamblistit, sado që isha i vetëdijshëm për sfidat që më presin. Prioritet kryesor imi, por edhe premtim imi para qytetarëve gjatë fushatës, ishte informimi në kohë reale rreth gjithë asaj që po ndodhë në Komunën e Drenasit me qëllim që sadopak t’i ofroj ata në vendimmarrje, meqë pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, sidomos në nivel lokal është njëri ndër elementet kryesorë të demokracisë.
Për të qenë transparent dhe llogaridhënës para qytetarëve, pra për ta përmbushur edhe premtimin e dhënë, fillova që komunikimin ta krijoj edhe përmes rrjeteve sociale, trend ky i ndjekur gjithandej botës demokratike. Në fillim ishte si të thuash si një rrugë një kahore, pra isha unë që postoja informacione thuajse për çdo veprim të dhe rreth komunës së Drenasit e që në një mënyrë ose tjetër ishte e rëndësishme për ta. I njoftoja për mbledhjet e Kuvendit Komunal, rendit të ditës, debatet dhe vendimet që merreshin. Postoja edhe fjalime të mija, në formë të përmbledhur.
Si u prit kjo iniciativë dhe cili ishte reagimi i qytetarëve të Komunës së Drenasit?
Nuk vonoi shumë, dhe fillova të pranoj pyetje, këshilla, por edhe sugjerime rreth gjithë asaj që ndodhte në Kuvendin Komunal, por edhe në qeverisjen lokale në përgjithësi. Pranova kërkesa të arsyeshme, të cilat i delegova tek organet gjegjëse dhe përgjigjet rreth tyre ua ktheva në momentin e parë që i kisha. Ngrita çështje për diskutim në Kuvend, të cilat paraprakisht i kisha pranuar nga qytetarët. Dhe kështu filloi të funksionojë sadopak një komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarë dhe shumë nga ta informoheshin nga platforma që kisha krijuar enkas për këtë komunikim në facebook.
Mirëpo, kjo nuk më mjaftonte që të arrij qëllimin tim sa duhet, pra atë të aktivizimit të qytetarëve për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje. Kështu që së bashku me kolegë tjerë të Kuvendit Komunal, filluam të dalim në terren për të vizituar lokacione të ndryshme duke biseduar me administratorë dhe qytetarë tjerë dhe duke marrë nga ta kërkesat dhe nevojat e tyre. Të gjitha këto aktivitete i kisha pasqyruar edhe me publikime në mbrëmje në facebook dhe në fund të vitit edhe me raport të veçantë për Kuvend Komunal.
Kjo kishte bërë që qytetarët të fillojnë të organizohen edhe në lokacionin e tyre dhe në komunikim më ta dhe me administratorë të lokacionit të tyre të fillojmë që zyrtarisht të shtrojnë kërkesa për projektet e tyre dhe ato kërkesa do i shtynim në Kuvend ne si përfaqësues legjitim të tyre.
Në janar të vitit 2015, më pas fillova të takoj shtëpi për shtëpi secilin administrator dhe propozimin tim që projektet që realizoheshin në të gjitha lokacionet të monitoroheshin nga ta dhe në Kuvendin Komunal do të formohej një Komision për monitorimin e qytetarëve e me këtë do të krijohej zyrtarisht për herë të parë një trekëndësh komunikimi ndërmjet Ekzekutivit – Kuvendit Komunal dhe Qytetarëve, me qëllim të monitorimit më të mirë të projekteve që realizoheshin me cilësi të dobët në terren, projekte këto që realizoheshin me para të qytetarëve.
Paralelisht me këto aktivitete në të mirë të përgjithshme të qytetarëve të Drenasit, në fshatin tim të lindjes komunikimin direkt dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje e kishim avancuar shumë. Me ndihmën e administratorit të fshatit kemi thirrur takime të vazhdueshme me përfaqësues të lagjeve, por edhe me qytetarë për të përcaktuar prioritetet e fshatit që më pas me listë të nënshkruar nga administratori dorëzoheshin në Komunë, dhe si të tilla edhe aprovoheshin. Më këtë kishim ndërprerë një praktikë ku persona të caktuar ushtronin ndikimin e tyre për të realizuar një projekt pa prioritet në fshat duke i shërbyer jo interesave të shumicës në fshat. Që nga fillimi i mandatit tim si asamblist, gjithmonë administratorët e fshatit i kam siguruar paramasat e projekteve dhe ai së bashku me përfaqësues të lagjeve iu kishin qëndruar afër punimeve duke monitoruar strikt dhe me këtë këto tri vitet e fundit vërehet cilësia shumë më e lartë.
Në fshat kisha filluar që në fundvitin e parë të ju dërgoj edhe nga një raport me shkrim në secilën prej 204 shtëpive, duke i informuar me informacionet e nevojshme komunale, me theks të veçantë projektet që ishin realizuar dhe do realizoheshin dhe me një përmbledhje edhe punën time në shërbim të interesave të tyre. Këtë traditë e kam vazhduar çdo fundvit deri më tani dhe një praktikë e tillë, të cilën e kisha mësuar në Gjermani, ishte pritë shumë mirë.
Në përgjithësi, sot është një gjendje shumë më e mirë e relacionit qytetar-komunë dhe punoj shumë që ky relacion të forcohet.
Cilat janë reagimet e pushtetit lokal në Drenas në lidhje me kritikat e juaja, duke marrë parasysh se ju jeni asamblist i PDK-së?
Kur jemi te kritikat dhe çështjes që ngris për diskutim dhe kërkoj zgjidhje, në asnjë mënyrë nuk i drejtohen subjektit politik, por ato i adresohen personave përgjegjës të cilët postet i kanë marrë nga partitë politike dhe të tilla poste i abuzojnë duke keqpërdorur pozitën zyrtare. Të tilla fatkeqësisht ka mjaft. Me pak fjalë, kritikat që bëj në adresë të një ose grupi personash përgjegjës të një dikasteri qeverisës në nivel lokal, janë të bazuar në argumente dhe si të tilla kërkoj të trajtohen. Në raste kur shkeljet janë të mëdha dhe nuk ka reagim apo reflektim pozitiv nga personi apo personat përgjegjës dhe me shteret çdo mundësi tjetër për të përmirësuar atë ose ato gabime, atëherë adresa ime mbetet t’i drejtohem organeve të ndjekjes.
Deri me tani kam deponuar pesë kallëzime penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe pesë denoncime në Departamentin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës dhe mbes me shpresë që në një afat sa më të shpejtë zyrtarët që janë denoncuar të përgjigjen organeve të drejtësisë dhe para qytetarëve për dëmet që i kanë shkaktuar buxhetit të komunës dhe qytetarëve të komunës së Drenasit.
Kur jemi të Partia, respektivisht pyetjes suaj për kritikat PDK-së në Drenas, me lejoni të ju them që deri më tani çdo kritikë dhe denoncim që është bërë, është bërë edhe për të mirën e partisë, meqë zyrtarët me përgjegjësi menaxheriale por edhe politike që kanë abuzuar me pozitën zyrtare ata kanë dëmtuar edhe vetë imazhin e partisë. Pra, veprimet e mija në Kuvendin Komunal besoj dhe jam i bindur se ju shërbejnë interesave të përgjithshme të qytetarëve të Komunës së Drenasit, por edhe vetë partisë.
Ndër problemet e identifikuara në terren mbetet ende cilësia jo e mirë e realizimit të projekteve. Sado që vërehen ndryshime pozitive pas ngritjes permanente të kësaj problematike në Kuvend dhe me publikimet e vazhdueshme në rrejte sociale të defekteve të gjetura në terren, por një mekanizëm që do të rregullonte përgjithmonë këtë çështje nuk ka vullnet politik të gjendet, sado që është fare e lehtë.
Sa po gjeni përkrahje nga asamblistët tjerë të KK Drenas në lidhje me aktivitetin tuaj për parandalimin e keqqeverisjes në Drenas?
Kur jemi të mbështetja e kolegëve tjerë asamblistë të ju them të drejtën që më shumë prej tyre që bisedojmë, i përkrahin veprimet e mija moralisht dhe se rrethanat e krijuara të sistemit, ku shumë prej tyre janë të varur nga një vend pune që kanë në institucione lokale apo shtetërore ua pamundëson një veprim ndoshta me të vendosur rreth çështjeve të caktuar, duke u nisur nga fakti se mund t’u hakmerret ndokush nga politika për të humbur vendet e punës apo ndonjë “privilegj” tjetër.
Sa po gjeni përkrahje nga qytetarët e Drenasit në lidhje me aktivitetet tuaja për parandalimin e keqqeverisjes në Drenas?
Në fillim ka qenë pak e vështirë për të shtruar rrugën e komunikimit me qytetarët e Drenasit,pasi qe ata kanë qenë totalisht të pa informuar rreth zhvillimeve në qeverisjen lokale në komunitetin e tyre dhe për të drejtat e tyre për t’u përfshirë në vendimmarrje.
Fillimisht kam hapur grupin ne Facebook, për t’i informuar ata për çdo gjë rreth aktiviteteve të kuvendit komunal, e që me kalimin e kohës qytetarët kanë filluar të shprehin interesim dhe grupi është rritur në masë të madhe, pastaj kam kaluar në fazën tjetër ku qytetaret kanë filluar të më drejtojnë kërkesa dhe ankesa për shqetësimet e tyre, duke shënuar rritje të madhe të kërkesave të tyre, meçe ishte e vështirë që këto kërkesa të menaxhohen vetëm , unë kam formuar ekipin për qeverisje lokale në Drenas, e cila përbëhet nga studentë të dalluar dhe të rinj të Drenasit, të cilët me ndihmojnë për t’i marrë shqetësimet, për t’i klasifikuar dhe për t’i ngritur ato në asamble komunale. Tani bashkëpunimi me qytetarë në Drenas dhe përkrahja e tyre është e jashtëzakonshme, çdo ditë më shkruajnë dhe më kontaktojnë, duke bërë që monitorimi i qytetarëve ndaj pushtetit të rritet në shkallë të madhe.
Duke marrë parasysh se ju bëni kritika të shumta dhe keni bërë padi të shumta dhe si rezultat edhe janë dënuar disa zyrtarë për keqpërdorim të detyrës, a keni pasur kërcënime nga ndokush në lidhje me këto aktivitete?
Aktiviteti im në Komunën e Drenasit veç besimit dhe mirënjohjes nga qytetarët më ka sjellë edhe armiqësi, padyshim edhe shumë kërcënime, por asnjëra nga këto asnjëherë nuk do të ndikojnë në sprapsjen time nga veprimet e mija prej asamblisti në shërbim të interesit të përgjithshëm dhe të nevojshme në të mirë të qytetarëve të Drenasit.
A duhet të vendoset një standard i ri në lidhje në aktivitetet e asamblistëve në komunat e Kosovës që ta kenë prioritet qytetarin edhe kur i takojnë partive që e kanë pushtetin komunal, pse ata heshtin edhe kur e shohin se po dëmtohen qytetarët që përfaqësojnë?
Unë mendoj se autoriteti i qytetarit duhet të jetë mbi autoritetin partiak, në këtë kontekst, keqpërdoruesit pavarësisht që mund të jenë bashkëpartiak, ata duhet të përgjigjen para drejtësisë dhe duhet të japin llogari për çdo veprim ose mosveprim të tyre. Qytetarët duhet të jenë çdo herë prioritet dhe mbi partinë, jo e kundërta.
Cili është bashkëpunimi me institucionet tjera të Kosovës si me policinë, prokurorinë dhe gjykatat në lidhje rastet që ju i paraqitni?
Nuk kam vërejtur ndonjë gatishmëri të organeve që cekët më lart për një bashkëpunim të ngushtë, përveç atij zyrtar, sado që këtyre organeve u kam dërguar fakte që ata në një shtet me demokraci të konsoliduar do duhej t’i kryenin.
Cili është bashkëpunimi me mediat, a ka pasur raste kur raportimet që janë bërë në media në lidhje keqpërdorime të ndryshme i keni dërguar në prokurori?
Bashkëpunimi me mediat ka qenë me intervale, në fillim kemi pasur mbulim të mirë medial për rastet e keqpërdorimeve të cilat janë dërguar në prokurori, për çështje mjedisore. (Rasti i ndotjes e Ferronikelit), por pastaj kemi pasur disa raste kur kemi raportuar në media, janë përgatitur edhe kronikat për t’i transmetuar, por në momentet e fundit dikush ka ndërhyrë dhe i ka ndalur. Gjithsesi bashkëpunimi me media është kyç për të bërë presion tek organet e drejtësisë për të mos i neglizhuar dhe për t’i trajtuar më me prioritet lëndët kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve me pozitën zyrtare, mirëpo disa media hezitojnë të bashkëpunojnë në këto pika.
Është raportuar shpesh nga mediat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion, mos kryerje të projekteve etj, favorizime në tenderë etj….Por edhe zyra e auditit ka gjetur shkelje të ndryshme nëpër komuna të Kosovës për keqmenaxhime të shumta, nga përvoja juaj e deritanishme çka mendoni se duhet të ndryshohet në komunat e Kosovës që të mos ndodhin dukuri të tilla?
Shumicën prej shkeljeve që ka gjetur zyra e auditorit të përgjithshëm i kam ngritur në mënyrë të vazhdueshme për debat në Kuvend, por ka munguar vullneti i udhëheqjes në Drenas për të debatuar dhe nga debati të gjendet zgjidhja. Një ndër rastet është edhe ai me shkeljet e vazhdueshme që ka bërë Drejtoria Komunale për Arsim, e cila përveç angazhimit të mësimdhënësve të pa kualifikuar në disa raste, ajo ka angazhuar mësimdhënës edhe pa konkurse dhe pa planifikim paraprak duke i shkaktuar Komunës tonë dënime që kanë rrjedhë nga vendimet gjyqësore.
A do të konkurroni sërish për asamblist me të njëjtën parti, apo do të ndërmerrni ndonjë iniciativë të pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale?
Tani për tani jam i përkushtuar që të kryej me nder punën dhe përgjegjësinë prej asamblisti në funksion të përmirësimit të qeverisjes lokale. Besoj që fillimviti i ardhshëm do të definojë shumë çështje për të ardhmen time politike. Jam i gatshëm dhe i motivuar të shërbej, por vetëm dhe vetëm më këtë qasje. E që besa tani më jam i njoftuar në hollësi për defektet në qeverisjen lokale dhe jam në gjendje të shtyj përpara ndryshimet e nevojshme, por prapë se prapë deri në fillim të vitit tjetër nuk mund të marr një vendim, se në çfarë formë do t’i qasem. /tesheshi.com/