Edhe pse në zbehje e sipër, vijonë reagimet për frazën aspak diplomatike të ish-kryediplomates Olta Xhaçka, ajo me “njerëz nga mali që ngulin çadrat në bregdet”.
E sigurt është se asaj do i mbetet si një njollë e pashlyeshme kjo frazë, për sa të jetë në politikë e përsa të kujtohet. Për tjetër gjë, kjo ish-mjaftiste e shkolluar në SHBA, vështirë të kujtohet apo fiksohet në kujtesën e opinionit. Xhaçka është ndryshe mishërim i aftësisë për të bërë karrierë, por jo për të shkëlqyer me tipare të veçanta në të.
Fraza e saj e shpenguar, në fakt nuk duhet marrë si ndonjë ofezë e saj arrogante ndaj veriorëve; ajo duhet marrë si tregues i një paaftësie tronditëse për të zotëruar talent diplomatik ndërsa ke qenë kryediplomate, madje në kohë të trazuara dhe delikate, ku diplmacia duhet të jetë deri në nivelet më të larta të një arti për t’u zotëruar. Kështu, në paraqitjen e saj te Grida Duma ajo nuk duhej aspak të shkelte në fusha “të minuara” për nga konflikti i interesit, si ajo e mbrojtjes së bashkëshortit ish-deputet në të drejtën, ëndrrat apo meritat për të investuar në bregdet si investitor strategjik. Por shkeli aty dhe i “plasi mina”, pra tha aspak diplomatikisht diçka që s’duhej ta kish thënë dhe që me një lexim të thjeshtë ia ka groposur karrierën politike. Dhe tha diçka pa risk përveçse ndaj vetëvetes. Por mendoni një çast një përballje si kryediplomate me një situatë ku i duhej të shpaloste art diplomatik se si do dreqoste me nivelin e patalentit apo shkujdesjes që tregoi në Top Story.
Kjo rihap dhe debatin mbi emërimet e Ramës, disa tejet të diskutueshme në tre mandatet e tij, në pothuajse të gjitha nivelet e pushtetit. Duke mbetur te diplomacia, në krye të saj është Igli Hasani, një emër që nuk i thoshte asgjë publikut deri sa u emërua në postin e lartë. Kjo lloj mangësie jo domosdoshmërisht e nxjerr të paaftë apo jomeritor për atë post, pasi ekzistojnë një morri shembujsh të njerëzve me plot kapacitet në një fushë të caktuar pa shumë prezencë apo njohje publike. Gjithsesi, Hasani ngjan po aq i drunjtë sa Xhaçka në narrativë diplomatike sa nuk besohet të prodhojë lajm nëse do trajtonte një çështje delikate. Ama ngjan se është shumë më i aftë se paraardhësja e tij Xhaçka që të mos lëshojë mufka edhe jashtë diplomacisë. /tesheshi.com/