Pas takimit me Annalen Baerbock në Berlin, Aleksandar Vuçiq tha se situata në të cilën ndodhet Serbia, duke pasur parasysh krizën në Ukrainë, është “pothuajse e pamundur”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pozita politike e Serbisë nuk ka qenë “asnjëherë më e vështirë” dhe se është “e komplikuar” edhe nga deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin.
Pas një takimi me ministren e Jashtme gjermane Annalen Baerbock në Berlin, Vuçiç tha se situata në të cilën ndodhet Serbia duke pasur parasysh krizën në Ukrainë ishte “pothuajse e pamundur”, raportoi agjencia e lajmeve Beta.
“Në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë, ne shpallëm pikëpamjet tona strategjike. Serbia është në të njëjtin pozicion për 71 ditë. Nuk e kam fshehur qëndrimin tonë as gjatë bisedës me kancelarin Scholz dje”, tha Vuçiç në një fjalim për shtypin.
Ai përsëriti se Serbia është në rrugën evropiane, se nuk do të “kthehet askund tjetër” dhe se mbetet ushtarakisht neutrale.
Vuçiç shtoi se bisedimet që ka pasur me zyrtarët gjermanë nuk kanë qenë të lehta.
“Gjermania është shteti më i fortë evropian në çdo kuptim, ne nuk mund të zgjedhim dhe të ndryshojmë qëndrimin e tyre për çështjen e Kosovës sepse kjo nuk do të ndodhë. Jam i kënaqur me interesimin e madh të zyrtarëve gjermanë për bisedimet dhe nesër do të flas pse do të ketë interesim edhe më të madh nga të gjithë në Beograd dhe Serbi”, tha Vuçiç.
Ai po ashtu ka thënë se biseda e mbrëmshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Berlin ka qenë “shumë e vështirë” dhe ka paralajmëruar se dialogu teknik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojë më 13 maj në Bruksel.
“Petar Petkoviç do të shkojë në Bruksel më 13 maj për të provuar të bien dakord për diçka. Disa refuzojnë të flasin për Bashkimin e Komunave Serbe, por për mua është e rëndësishme që përfaqësuesit gjermanë kanë thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet”, tha presidenti i Serbisë.
Ai shtoi se në fjalimin e nesërm para qytetarëve do të flasë më shumë për, siç tha, “të gjitha problemet e mëdha” me të cilat po ballafaqohet Serbia, si dhe se si Beogradi do t’u përgjigjet atyre.
Ai shtoi se në fillim të qershorit, duhet të konsultohet me përfaqësuesit e partive politike për pozicionin aktual të Serbisë në dritën e krizës në Ukrainë. /tesheshi.com/