Policia e kryeqytetit ka arritur që brenda dy ditësh të identifikojë dy autorët e vrasjes për qëllim grabitjeje të shtetasit Agim Buci dhe plagosjes së bashkëshortes së tij, Merita Buci, ngjarja e ndodhur në Kamëz.
Çifti Buci kishte një market ku grabitësit u futën të armatosur në mbrëmje për të marrë xhiron ditore, duke lënë pas dhe një viktimë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj
“Si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar kësaj ngjarjeje janë 2 shtetasit:
Vladimir Kurti, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ruzhdi Hode, 25 vjeç, banues në Tiranë.
Ata ndodhen aktualisht të ndaluar nga policia mbi bazën e urdhërave të dala nga Prokuroria.
Nga hetimet rezulton se i dyshuari Vladimir Kurti ka kryer ekzekutimin me armë zjarri të shtetasit Buci dhe plagosjen e bashkëshortes së tij.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “Volksvagen”, me të cilin autorët kanë shkuar dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, veshjet dhe dorezat e përdoruara në vendngjarje. Ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e provave të tjera materiale”, bëri të ditur kryepolici i Tiranës.