Ushtria izraelite po zhvendos përkohësisht një njësi ushtarësh ultra-ortodoksë pas vdekjes së një palestinezi, një shtetas amerikan, i cili vdiq pasi u arrestua nga anëtarët e saj në fillim të këtij viti.
Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën se po zhvendos përkohësisht një njësi ushtarësh ultra-ortodoksë nga Bregu Perëndimor pas vdekjes së një palestinezi, një shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili vdiq pasi u arrestua nga ushtarët e saj në fillim të këtij viti.
Siç thuhet, batalioni Netzah Yehuda do të zhvendoset në Lartësitë Golan, në veri të Izraelit përgjatë kufirit me Sirinë, deri në fund të këtij viti.
Deklarata nuk përmend vdekjen e Omar Assad, 78 vjeç, i cili u prangos dhe u lidh nga ushtarët izraelitë dhe u la në një ndërtesë të braktisur në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në vend të kësaj, deklarata thotë se vendimi është marrë me qëllim që, ndër të tjera, të fitojnë më shumë përvojë operacionale dhe se ata do të kthehen në Bregun Perëndimor në fund të vitit 2023.
Njësia Netzah Yehuda (Judea Forever) është një njësi speciale e hebrenjve ultra-ortodoksë e krijuar për të inkurajuar besimtarët, të cilët shpesh përjashtohen nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, për t’u bashkuar me ushtrinë.
Abuzimet dhe arrestimet
Anëtarët e kësaj njësie kanë qenë të përfshirë në abuzim më parë.
Në janar të këtij viti, ushtarët e njësisë Netzah Yehuda e ndaluan Assad-in në një pikë kontrolli dhe e lanë të shtrirë me fytyrë përtokë.
Pas largimit të ushtarit, Assad u gjet pa ndjenja nga palestinezë të tjerë, gjithashtu të ndaluar, dhe më pas u dërgua në spital ku u shpall i vdekur. Megjithatë, mbetet e paqartë se kur ka vdekur.
Një autopsi e kryer nga mjekët palestinezë tregoi se Assad kishte probleme shëndetësore, por edhe mavijosje në kokë, skuqje në kyçet e duarve dhe qepalla të gjakosura për shkak të lidhjes së ngushtë të syve.
Pasi qeveria amerikane protestoi, ushtria izraelite tha se ishte një “ngjarje serioze dhe fatkeqe, rezultat i gabimeve morale dhe vendimmarrjes së dobët” nga ushtarët. Një ushtar u dënua, dhe dy të tjerët dhanë dorëheqjen dhe u transferuan nga pozicionet komanduese. /tesheshi.com/