“Vrasje e qëllimshme për moszbatim të kujdestarisë”, është akuza që prokuroria italiane ka ngritur ndaj 63-vjeçarit shqiptar, që është gjyshi i vogëlushes 13-muajshe, Victoria Zikaj, e cila u masakrua një ditë më parë nga dy qen pitbullë.
Në momentin e ngjarjes vogëlushja ishte nën kujdestarinë e gjyshit të saj, i cili dhe pse u përpoq ta mbronte nuk mundi t’i shpëtojë jetën.
63 vjeçari ndodhet ende i shtruar në spital për shkak të plagëve të marra në këmbë e në krah.
Autoritetet italiane presin ta marrin në pyetje sapo gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.
Gjyshi 63 vjeçar i vënë nën hetim është i ati i Egi Zekaj, babait shqiptar të vogëlushes, i cili ndodhej prej pak kohësh në emigrim në Gjermani, raporton “Ora”.
Vogëlushja jetonte me nënën e saj italiane Olga De Luca, 22 vjeç e gjyshin e saj. /tesheshi.com/